Kukësi nis të mendojë për “finalen” e sezonit. Edhe pse ka ende kohë deri në ditën e ndeshjes me Partizanit, në klub po planifikojnë axhendën. Burime për “Panorama Sport” konfirmojnë se drejtuesit po mendojnë seriozisht që ta zhvendosin këtë duel në “Loro Boriçi”.
Nuk është mbyllur ende marrëveshja në fakt, megjithatë në vazhdim do të ketë zhvillime konkrete. Paçka se takimet e fundit (kur kanë qenë pritës) i kanë luajtur në “Elbasan Arena”, për javën e 26-të duan që të ndryshojnë kurs. Afërsia mes Elbasanit dhe kryeqytetit i ka detyruar veriorët që të shohin si mundësi spostimin në Shkodër.
Nëse do e luanin në Elbasan, atëherë mund të rrezikonin që në stadium të kishte më shumë mbështetës ekipi kundërshtar. Por një tjetër motiv është gjendja e fushës, e cila është edhe më e mirë.
DËMTIMET – Makthi i dëmtimeve vazhdon të përndjekë Kukësin. Gjendja vazhdon të jetë “alarmante”, ndaj stafi teknik gjatë kësaj kohe duhet të fillojë të mendojë për të ndërtuar formacionin perfekt, edhe pse me një kontingjent të limituar. Zyrtarisht mund të thuhet se Ylli Shameti nuk ia del dhe, sipas asaj që kanë thënë mjekët, kapiteni do të jetë i detyruar që të qëndrojë 2-4 javë jashtë.
Kaq është koha që i duhet për t’u rikuperuar plotësisht. Pak shanse ka edhe për qendërmbrojtësin tjetër, Ardian Cuculi. Megjithatë, gjendja e tij do të jetë në vëzhgim të plotë gjatë kësaj kohe, me shpresën që të riaftësohet në limit. Pritshmëritë janë të mëdha vetëm për Uilliam Melon dhe Simon Rrumbullakun.
U bënë javë që mesfushori dhe mbrojtësi mungojnë, gjithsesi lajmet janë të mira për ta. Me 99% të mundësive mund të jenë gati për të zbritur në fushë kundër të kuqve.