Humbja e fundit në kampionat ndaj Tiranës la një shije të hidhur te Kukësi, duke parë mënyrën se si erdhi dhe për më tepër me një penallti që u kontestua jo pak nga verilindorët. Nuk është rasti i parë që blutë kanë pretendimet e tyre për gjykimin, në një kohë që janë në një luftë të ashpër për të arritur mbijetesën këtë sezon.
Kjo penallti, mesa duket, do të bëjë që përfundimisht ekipi i Hallaçit të pretendojë vetëm mbijetesën. Në rast të marrjes qoftë edhe të një pike, verilindorët, të paktën moralisht, do të pretendonin pse jo një vend në kupat e Europës. Ndaj mund të thuhet se humbja ndaj bardhebluve ndau një herë e mirë “shapin nga sheqeri” për objektivat e Kukësit, të cilët tani mendojnë vetëm për mbijetesën. Per kete arsye, do te tentojne fort te marrin pike te dielen ndaj Vllaznise.
Teuta që për momentin është në zonën e “play out”-it ndodhet vetëm një pikë më pak, ndaj në tetë javë skuadra e Kukësit është në luftë edhe me historinë. Thuhet kështu, sepse asnjëherë kjo skuadër nuk ka diskutuar qëndrimin këto vite në elitë, duke luajtur në këtë mënyrë edhe në një habitat që nuk është i saj. Duket se gjithë ajo ecuri pozitive e skuadrës u zhbë në dy sfidat e fundit, me humbjet ndaj Egnatias në “Kukës Arena” dhe Tiranës në “Elbasan Arena”.
PROBLEMET – Dy humbjet e fundit në një farë mënyre kanë reflektuar edhe problemet që skuadra e Kukësit ka pasur jashtë fushe, ku kanë ridalë në skenë sërish problemet me pagesat. Klubi ua ka bërë të qartë lojtarëve se do të paguhen në bazë të kontratës së tyre, ndaj duhet të vijojnë normalisht punën. Mirëpo, duke qenë se u bënë disa muaj që futbollistët kanë pritur pagat e tyre, ka sjellë më pas edhe agravimin e situatës, duke preferuar që të mos dalin në stërvitje si zakonisht.
Një situatë që ka vënë në siklet edhe stafin teknik, sepse jo të gjithë lojtarët kanë qenë në nivelin e tyre më të mirë si mental ashtu edhe fizik për të dhënë maksimumin më pas në fushë. Gjithsesi, pritet që këtë javë lojtarët dhe drejtuesit të bëjnë një tjetër bisedë konkrete për të zgjidhur problemet e tyre, pasi skuadra gjithnjë e më shumë po diskuton qëndrimin në kategori. Nëse kjo situatë nuk merr zgjidhje, gjithçka sa vjen edhe bëhet më e vështirë për ekipin, në një kohë kur kanë nevojë më shumë se kurrë për pikët që vlejnë mbijetesën.