Arlind Kalaja do të jetë pjesë e Kukësit sezonin e ardhshëm, pasi ka gjetur akordin me verilindorët.

Sulmuesi anësor, i cili ka provuar në të shkuarën të luajë edhe si sulmues qendror, sezonin e fundit nuk është se ka pasur shumë hapësira te shkodranët.

Më rënien e kuqebluve në Kategorinë e Parë, ai do kërkojë të tregojë vlerat e tij në një tjetër ekip. Kukësi ka shfaqur interes dhe sa duket e ka bindur.

Sipas “Panorama Sport”, Kalaja ka pasur sot një takim me presidentin Safet Gjici, teksa është rënë dakord parimisht për kushtet e kontratës.

ECURIA E KALASË – Sulmuesi 22-vjeçar sezonin e fundit vetëm shtatë herë e ka nisur nga fillimi, duke mos u preferuar nga ish-trajnerët Armando Cungu dhe Ernest Gjoka.

Kalaja është produkt i moshave të Vllaznisë dhe ka debutuar me kuqeblutë që në moshën 17-vjeçare në Superiore.

Prej tre sezonesh ai është pjesë e ekipit të parë dhe luan në mënyrë të rregullt. Në sezonin 2015-2016 ai ishte titullar i padiskutueshëm, teksa luajti 29 ndeshje, ndërkohë që realizoi edhe katër gola.

Edhe këtë sezon ai ka shënuar të njëjtin numër golash, dy prej tyre në ndeshjet përmbyllëse të kampionatit, kundër Kukësit dhe Skënderbeut.