Skuadra e Kukësit ka prekur kreun e klasifikit këtë të shtunë, pasi ka zhvilluar në Durrës ndaj Teutës ndeshjen e katërt të këtij sezoni në Superilgë, duke triumfuar minimalisht ndaj vendasve, me rezultatin 1-0.
Ishte goli i Reginaldos në minutën e 19’ të takimit ai që i ka dhënë verilindorëve epërsinë e pacënuar deri në vërshëllimën e fundit të takimit.
Tre pikë shumë të rëndësishme këto në favor të Kukësit, që pas katër javësh, ka regjistruar në total 7 pikë, për të mbajtur provizorisht kreun e klasifikimit bashkë me Skënderbeun e Flamurtarin, por me këto dy të fundit që kanë një ndeshje më shumë në dispozicion.
Goli i vetëm, ai që vendosi fatin e ndeshjes u shënua nga Reginaldo, pas atij shërbimi perfekt të Melos. Sulmuesi nga Mozambiku nuk e pati të vështirë të dërgojë topin në rrjetë, duke fituar duelin me veteranin Hidi.
Pikërisht autori i asistit të golit, Melo, në të 50’ iu afrua golit personal, kur ka ekzekutuar një gjuajtje të fuqishme nga distanca, por të ndalur nga traversa.
Vendasit kanë shansin më të mirë për të barazuar shifrat, kur në të 87′ Latif bën gjithçka bukur në zonë, por topi ndalet nga shtylla.Pas kësaj humbje, skuadra e Teutës renditet në vend të shtatë, në kuotën e 5 pikëve.
Teuta-Kukësi 0-1
Shënues: Reginaldo 19’
Teuta: Hidi, Gjeorgjevski, Bicaj, Osmani, Hakaj, Sidibe, Avdyli, Kamara, Kallaku, Progni, Latif.
Trajner: Bledi Shkëmbi.
Kukësi: Frashëri, Maliqi, Qaqi, Cuculi, Zguro, Limaj, Musolli, Ethemi, Shafik, Kordeiro, Reginaldo.
Trajner: Armando Cungu.
Arbitër: Kridens Meta