Kukësi ka mposhtur Luftëtarin me rezultatin 3-0 në takimin e zhvilluar në “Elbasan Arena”. Golat e Limajt, Dzarias dhe Valdet Ramës i dhuruan fitoren skuadrës së Armando Cungut që me këtë triumf ka arritur të ngushtojë diferencën në 6 pikë nga kryesuesit e Partizanit.

Trajneri i Kukësit, Armando Cungu, foli pas triumfit ndaj Luftëtarit për mikrofonin e “Supersport” ku u shpreh:

“Në pushimin e ndeshjes i kam kërkuar rritëm dhe seriozitet djemve. Eksperiencat kanë treguar se janë kthyer rezultatet shumë më të thella se 2-0. Kërkuam të merrnim më shumë qetësi për të qarkulluar topin. Duhet të marrim më shumë përgjegjësi. Vuajtëm shumë. Kemi djemtë të rinj që duan kohë për tu pjekur. Gabuam në përgjithësi të gjithë. I lamë terren kundërshtarit. U krijua një situatë e pasigurtë. Nuk arritëm të dilnim para.

Paraqitja e mirë e Ethemit dhe Limajt. Sa i kënaqur jeni me Valdet Ramë?

Janë djem të rinj që premtojnë shumë. Kanë shumë punë për të të bërë. Duhet të dish si të sillesh në fushën e lojës. Kanë kohë për t’i mësuar. Ne na duhen sa më shpejt dhe sa më të gatshëm për ti shërbyer ekipit. Për sa i përket Ramës, ka shumë mundësi dhe potencial në këmbët e tij. Ka qetësinë e duhur për të bërë zgjedhjen e duhur. Duhet të punojë në aspektin fizik, sidomos në fazën kur topin e ka kundërshtari. I duhet punë për të gjetur gjendjen e tij fizike.

Po ju pëlqen 4-4-2?

Është një zgjidhje e momentit. Gjithmonë një trajner zgjedh në bazë të mundësive dhe kualiteteve. Mundohet të përshtat modulin më të mirë dhe me të saktë. Mendova të ndryshoja dhe vendosjen, ky ndryshim kërkon kohë dhe përshtatje për të gjithë ekipin. Po tentojmë të marrim diçka, jemi në përmirësim. Nuk pretendoj që kjo është maksimumi dhe që jemi në maksimumin tonë.

Si shmanget ulja e rritmi në pjesën e dytë?

Bëmë një pjesë të parë të mirë. Si rezultat i kësaj erdhën edhe golat. Në pjesën e dytë nuk ishim aty ku duhet të ishim. Me 2-0 mendova të ruaj freskinë e Shkurtajt dhe ti jap mundësinë diku tjetër. Luajmë të premte në Korçë, në mesjavë me Teutën dhe në fundjavën tjetër me Partizanin. Ndeshje flakë për Kukësin. Treguam probleme të gjithë si ekip. Duhet të ishim më të qetë. Nuk ditëm ta shfrytëzonim qetësinë. E bëmë në minutën shtesë me një zgjidhje individuale të Ramës.