Humbja e fundit ndaj Erzenit në shtëpi thjesht sa e zhyti edhe më tej në krizë ekipin e Kukësit, i cili vijon të qëndrojë i vetëm në vendin e fundit të Kategorisë Superiore. Të besuarit e Rrahman Hallaçit, edhe njëherë nuk ditën të shfrytëzonin faktorin fushë dhe kanë dalë pa pikë nga sfida me shijakasit.

Më shumë se kurrë, verilindorët tani rrezikojnë qëndrimin në elitë, gjë që nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë përgjatë këtyre viteve, pasi kanë synuar gjithnjë vendet e para në renditje.

Situata sa vjen e rëndohet, për vetë faktin se çdo javë që kalon pa marrë pikë dhe për më tepër në shtëpi, është një minus i madh për një ekip që objektiv i ka mbetur mbijetesa.

RIVALËT I vetmi lajm i “mirë” për Kukësin gjatë kësaj fundjave ishte ndalesa e rivalëve në garën për mbijetesë, ku për fatin e tyre të mirë nuk fitoi asnjë, duke mos u shkëputur në klasifikim.

Diferenca me Kastriotin, i cili është ekipi që për momentin mban pozicionin që shpëton, është vetëm tri pikë, ndaj ky fakt jep shpresë në Kukës se janë të gjitha mundësitë që të mos demoralizohen sa i takon mbijetesës.

Gjithsesi, duke qenë të fundit, verilindorët nuk duhet të mjaftohen gjithnjë me faktin që rivalët mund të ndalen, pasi pikë së pari duhet të fitojë sfidat e veta.

15 PIKË MË PAK Për Kukësin e këtij sezoni nuk ka nevojë për shumë llogaritje për t’u cilësuar ekipi më i dobët e kësaj dekade, sepse pozicioni që mban në renditje flet vetë.

Mirëpo, “Panorama Sport” ka bërë një krahasim vetëm me edicionin e kaluar dhe bie në sy se verilindorët kanë 15 pikë më pak.

Aktualisht, pas 17- të javëve kampionat, blutë kanë grumbulluar vetëm 16 pikë, ndërsa me po kaq ndeshje një vit më parë kishin koleksionuar plot 31 pikë dhe ishin të tretët në klasifikim.

Praktikisht, kuksianët pas 17-të javësh kanë marrë vetëm gjysmën e pikëve të një kampionati më parë, një tregues ky i një skuadre që ka ndryshuar totalisht.

E njëjta situatë paraqitet edhe te golavarazhi, i cili është dukshëm shumë më i dobët, 13 gola të shënuar këtë vit, përkundrejt 30 të një viti më parë.

“Ngushëllohen” me faktin se te golat e pësuar nuk ka shumë disnivel, pasi këtë sezon kanë nxjerrë topin nga rrjeta 19- të herë dhe sezonin e kaluar 17-të.