Në Kukës shpresojnë që të dalin me një rezultat pozitiv përballë Flamurtarit. Një këtë ndeshje, verilindorët nuk vijnë aspak si favoritë, duke parë diferencat në kualitete, por shpresojnë që të mos dalin pa pikë. Presioni është në anën e vlonjatëve dhe pikërisht këtë fakt, të besuarit e Alfred Allamanit do të përpiqen ta shfrytëzojnë në favorin e tyre.

Lajmi i mirë për vendasit është se grupi do të jetë i plotë dhe shihet si një ogur i mirë për një paraqitje pozitive dhe më pas të marrë pikët që i kanë të nevojshme. Situata nuk është ndër më të mirat në kampin kuksian pas humbjeve radhazi. Gjithsesi, për këtë 90-minutësh i kanë harruar të gjitha dhe janë të fokusuar te vlonjatët.

Allamani është përpjekur gjatë javës që të punojë me skuadrën edhe në aspektin psikologjik, sepse problemin nuk e sheh vetëm te mungesa e rezultateve, por edhe te mendësia me të cilën lojtarët hyjnë në fushë.

Pas disa humbjeve radhazi dhe për më tepër përballë një ndeshjeje me një pretendent, morali është i ulët në ekip, ndaj edhe tekniku është marrë shumë me këtë pjesë. Gjithsesi, mbetet për t’u parë se sa do të jenë në gjendje lojtarët të bëjnë kthesën në fushën e lojës, ku edhe një pikë do t’u vlente shumë për anën morale.