Vllaznia do ketë përballë Kukësin në javën e 6-të të Superligës. Verilindorët kanë bërë një start të mirë të sezonit ku kanë marrë 8 pikë, 1 më pak se Vllaznia me 9 të tilla. Prandaj edhe të dielën pritet një përballje shumë e fortë mes dy ekipeve.
Por, trajneri Longo i Kukësit duket se po përgatit ndryshime në formacion nga barazimi i fundit 1-1 i skuadrës së tij kundër Partizanit. Kështu në sulm nuk pritet të jetë serbi Milunovic, por të aktivizohet Klejdi Daci. Sulmuesi i ri i ardhur nga Kastrioti në merkaton e verës.
Po ashtu një vend titullari kundër shkodranëve pritet të ketë edhe Ardit Hila. Elbasansi luajti vetëm 22 minuta kundër Partizanit, por të dielën pritet në formacion. Kuksianët vijojnë përgatitjet që nga e hëna për ndeshjen kundër Vllaznisë.
Një takim shumë i rëndësishëm ky edhe për trajnerin Longo, i cili kishte “lëkundje” për pankinën e tij para pak javësh.
Endri ÇINARI