Skuadra e Kukësit do të luajë ditën e mërkurë kundër Karabakut për turin e dytë të Champions League. Shanset nuk janë shumë të mëdha, por Laçi dha një shembull të bukur që në futboll nuk vazhdohet me laps dhe me letër.

Me ardhjen e trajnerit Armando Cungu, skuadra ka marrë një nur tjetër, duket më e plotë dhe më e lidhur.

Ekipi verilindor do të lërë sot Tiranën dhe do të niset në qytetin verior. Aty do t’i japë fund përgatitjeve për ndeshjen e nesërme.

Skuadra e Kukësit do të ndryshojë hotelin e akomodimit, pasi para ndeshjes me Valetën qëndroi në hotel “Colosseo”, në qendër të qytetit.

Zhurma dhe lëvizjet e shumta që krijohen aty nuk u kanë pëlqyer bluve, prandaj kanë zgjedhur të qëndrojnë në “Grand Hotel Europa”.

Kukësi do të zhvillojë konferencën për shtyp ditën e sotme, por dhe seancën e fundit në stadiumin “Loro Boriçi”. Tekniku Cungu nuk ka shumë dilema për formacionin e nesërm, pasi ekipi duket se është i stabilizuar.

Qendra e mbrojtjes do t’i krijojë problem teknikut, pasi ka në dispozicion 4 futbollistë kalibri si Shameti (kapiteni), Alla, Hoxha dhe Qaqi./sport-ekspres/