Kukësi është i përfshirë në akuzat e KF Shkodrës në lidhje me shitjen e Sindrit Gurit drejt Oostende-s. Klubi amator pretendon se verilindorët nuk kanë paguar taksën e solidaritetit siç i takon nënkampionëve, por janë munduar që të anashkalojnë këtë pjesë.
Ngjarja u bë publike dhe klubi i drejtuar nga presidenti Safet Gjici nuk mund të qëndrojë duarkryq, pasi prishet imazhi i ndërtuar në vite. Numri një i kuksianëve njihet për korrektësinë e tij në aspektin financiar, prandaj nuk mund të pranojë akuza të tilla.
Telesport kontaktoi me zyrtarët e klubit verilindor për të marrë përgjigjen e tyre në lidhje me akuzat e bëra nga klubi shkodran.
Informacioni i përcjellë nga verilindorët bën me dije se klubi i Kukësit do të dalë në një reagim zyrtar në lidhje me çështjen në fjalë. Zyrtarët e Kukësit janë të qetë dhe nuk i frikësohen pasojave, pasi sipas tyre çështjat nuk do të shkojë aq larg.
Fakti që situata u bë mediatike nuk i ka pëlqyer aspak atyre, pasi donin që gjithçka të zgjidhej me kompromis mes palëve.
Një kompromis që vështirë të gjendej, pasi korresponendenca mes shkodranëve dhe avokatit të verilindorëve, Arsen Selmanaj, nuk ka shkuar mirë. Të gjithë presin me interes se cila do të jetë përgjigjja zyrtare e klubit verilindor./telesport/