Orges Shehi është zyrtarisht trajneri i ri i Kukësit. 43-vjeçari durrësak ka firmosur me klubin verilindor deri në verën e vitit 2021. Ai është prezantuar ditën e sotme nga administratori Lavdërim Gjici dhe drejtori sportiv Nderim Nexhipi.

Si futbollist Shehi arriti të shkruante historinë në futbollin shqiptar, duke fituar shumë trofe dhe duke marrë pjesë në grupet e Ligës së Europës, me fanellën e Skënderbeut, ku më pas debutoi edhe si trajner. Gardiani durrsak ka qenë gjithashtu edhe pjesë e ekipit Kombëtar. Shehi shpreson që sukseset e arritura si futbollist t’i përsërisë sërish, tashmë në rolin e trajnerit. Në konferencën për shtyp të prezantimit, Shehi u shpreh:

Çfarë iu bindi që të merrnit Kukësin në këtë situatë, kur kanë ngelur edhe 12 ndeshje nga fundi i kampionatit dhe cila është kontrata juaj?

“Suksesi është determinant për një trajner. E zgjodha Kukësin sepse është një skuadër e madhe. I ka dhënë tonin këto vitet e fundit kampionatit shqiptar. Është arritje personale. Më shtyu cilësia e klubit dhe lojtarit. Është e rëndësishme të dish grupin që ke. Kam qenë pa skuadër këto kohë, isha si analist në një studio dhe e kam ndjekur Kukësin dhe kampionatin javë pas jave. E kam thënë dhe më parë që Kukësi është kampion dhe kjo është ajo që më bindi.

A e shton presionin objektivi për të fituar titullin kampion?

Normal ku ka pritshmëri, ka presion. Duhet të jetë pozitiv presioni dhe i manaxhueshë. Unë personalisht nuk kam asnjë lloj presioni dhe jam besimplotë që Kukësi do të dalë kampion.