Armando Vajushi është pranë rikthimit në Superiore dhe tashmë mungon vetëm akordi final. Prej disa kohësh, në fshehtësi totale, sipas asaj që ka mësuar “Telesport”, klubi i Kukësit po provon që të bindë shkodranin të veshë fanellën e verilindorëve. Ditën e shtunë, edhe Partizani ka bërë një sondazh me futbollistin për të kuptuar nëse investimi mund të bëhet ose jo.
Drejtori Olsi Rama e ka pritur shumë mirë idenë për t’u fuqizuar me ish-futbollistin e Vllaznisë dhe kombëtares, por ende nuk ka tentuar diçka konkretisht. Trajneri Gega ka dhënë “Ok” pasi e njeh mirë Vajushin, ndërsa në anën tjetër, barazimi ndaj Laçit ka shtyrë presidentin e Kukësit, Gjici, që të përshpejtojë negociatat, duke u futur në fazën finale, atë ekonomike.
Shifrat – Vajushi ndodhet në Itali për momentin dhe pret të niset drejt Shqipërisë, ku do të ishte i lumtur të kthehej, qoftë edhe për një periudhë kohe, në formë trampoline, siç edhe shpesh ka ndodhur me shumë futbollistë të kombëtares. Pa skuadër prej 6 muajsh, pista Botosani ka rënë në sajë të ofertës së klubit rumun: 100-120 mijë euro në sezon, që janë dukur shumë pak për mesfushorin e lindur në Shkodër, i cili kërkon më shumë.
Edhe në Qipro janë interesuar, por gjithashtu nuk mundet të kënaqin kërkesat ekonomike të futbollistit. Kukësi po përpiqet të kënaqë Vajushin, por duhen jo pak por 150 mijë euro në vit. Pra, një shifër e rëndësishme për futbollistin, që gjithashtu dëshiron bonus në rast numri golash ose fitimi të titullit kampion. E njëjta kërkesë është xhiruar edhe për Partizanin, që po mendohet.
Tirana – Një tentativë, disa ditë më parë, bëri edhe Tirana për mesfushorin shkodran, por vetëm për disa muaj deri në qershor, duke mos marrë “ok” nga shkodrani, që kërkon një kontratë afatgjatë, edhe pse siç dihet, praktikisht në rast të një rikhimi në nivele të larta, trampolina europiane është pas dere. Jashtë negociatave mbeten Skënderbeu (që po pret vendimin e CAS dhe nuk siguron dot Europën për shkodranin), por edhe Flamurtari, që nuk e ka menduar, duke qenë se ka hallet financiare dhe nuk mund t’i shtojë barrë vetes.
Iran – Së fundmi, sondazhe nga Irani kanë ardhur për shkodranin, por Vajushi ka refuzuar, pasi kërkon një kontratë të paktën për 1 vit dhe me një rrogë tepër të kënaqshme, duke qenë se do të duhet të transferohet në një kampionat të largët./telesport/