Klubi i Kukësit ka zgjedhur të punojë në fshehtësi të plotë sa i përket merkatos së verës, për më tepër që trajneri i ri nuk është konfirmuar ende zyrtarisht, edhe pse Rraman Hallaçi është më i mundshmi për të vijuar punën në sezonin 2023- 2024. Mes një eksodi të madh me largime lojtarësh, drejtuesit e Kukësit kanë arritur në këtë periudhë të bëjnë edhe lëvizjet e para sa i përket merkatos në hyrje.

“Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se janë gati pesë lojtarë që pritet të firmosin në ditët në vijim me klubin verilindor. Bëhet fjalë për serbin Kosta Aleksiç, belgun Denzel Jubitana, kosovarët Albert Dabiqaj dhe Mërgim Pefqeli, si dhe fantazistin Ëngjëll Hoti, i cili u largua së fundmi nga Partizani.

Me të pestë këta lojtarë, drejtuesit e Kukësit kanë biseduar dhe tashmë mbetet për t’u parë se kush prej tyre do të zyrtarizohet i pari. Burime të sigurta i treguan gazetës se me të gjithë negociatat janë në rrugë të mbarë dhe priten firmat.

SULMUESIT – Kosta Aleksiç është një sulmues serb, i cili së fundmi ka qenë pjesë e klubit grek, Iraklis, që militon në Superligën 2 helene. 25- vjeçari ka shënuar 19 gola në 25 ndeshje të luajtura, ndërsa ka qenë protagonist edhe me 5 asiste.

Aleksiç konsiderohet si një prej sulmuesve më të mirë të ligës së dytë greke dhe Kukësi po bën gjithçka për ta bindur. Më parë ai ka luajtur në Superligën serbe me skuadra si Çukariçki, Napredak dhe FK Indija. Gjithashtu Aleksiç është aktivizuar me FC Sevan në Armeni.

Ndërsa edhe sulmuesi belg, Denzel Jubitana, ka qenë së fundmi pjesë e Iraklisit në Greqi dhe në 22 ndeshje ka shënuar 14 gola.Bëhet fjalë për një lojtar që luan më tepër si sulmues i dytë dhe në karrierën e tij ka qenë edhe pjesë e Beverenit dhe Meshelenit në Belgjikë, por gjithashtu në Holandë është aktivizuar me Rodën.

MESFUSHORËT – Klubi ka “peshkuar” në Kosovë me një prej mesfushorëve më të mirë të kampionatit të fundit, Albert Dabiqaj, i cili ka qenë pjesë e Gjilanit.

Në 23 ndeshje të aktivizuara, ka arritur të shënojë 5 gola dhe ka dhënë një asist. 26-vjeçari është mesfushor shkatërrues dhe te Kukësi e presin krahëhapur.

Ndërsa Mërgim Pefqeli është një mesfushor me tipare sulmuese, i cili me Prishtinën luajti 23 ndeshje dhe u bë protagonist me dy gola dhe një asist gjatë kampionatit.