Kukësi ka nisur afrimet e para në këtë merkato, në mënyrë që të përforcojnë organikën e tyre me elementë cilësorë. Objektivi i kuksianëve në këtë sezon është mbijetesa në Kategorinë e Parë dhe për të bërë të mundur diçka të tillë, drejtuesit kanë hedhur sytë nga Superiorja për afrimet.

Nga sa bëhet me dije nga burime të “Shkodra Sport”, drejtuesit e Kukësit kanë arritur marrëveshjen me qendërmbrojtësin e talentuar të shkodranëve, Xhuljan Kapllanaj, i cili mund të luajë shumë mirë edhe si mbrojtës i majtë.

20-vjeçari luajti gjysmën e sezonit të kaluar me Burrelin, teksa duke mos qenë në planet e skuadrës së parë të shkodranëve, ka preferuar ta vazhdojë karrierën e tij te Kukësi.

Kapllanaj ka firmosur për tre vite me verilindorët dhe është vendosur menjëherë në dispozicion të trajnerit Ilir Spahiu, në mënyrë që të jetë gati për sezonin e ri me ekipin e Kukësit.
Maringlen ZHIVANI