Kukësi do të presë sot Skënderbeun në kryeqytet, pasi stadiumi i qytetit të Kukësit është mbuluar nga dëbora dhe nuk mund të luhet në atë impiant. Për këtë arsye, përballja është vendosur që të zhvillohet në “Arena e Demave”.
Një situatë që ka prishur disi planet e teknikut të bluve, Stavri Nica, duke e konsideruar si një “asist” për kundërshtarin këtë fakt. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, Nica pohon se nuk është mirë që një ndeshje shtëpie të luhet në një fushë asnjanëse.
“Vështirësia e parë fillon nga fakti që na ndryshojnë planet, sepse ishim përgatitur për të luajtur në Kukës, por nuk do të ndodhë kështu. Bëhet fjalë për një ndeshje kyçe dhe të vështirë që ishim përgatitur për ta luajtur brenda, por bëhet në një fushë asnjanëse, që favorizon kundërshtarin në këtë rast. Nuk është e mirë që t’i largohesh fushës tënde, megjithatë duke parë gjendjen, duhet të mendojmë për kushtet që na krijohen”, u shpreh fillimisht Stavri Nica, që nuk e fshehu pakënaqësinë.
SITUATA – Nica nuk kërkon t’u fshihet fakteve, sidomos kur ato nuk janë në favor të skuadrës së tij, sepse vijnë pas tri takimeve pa fituar. Mirëpo, nga situata jo të favorshme dalin në pah edhe lojtarët që marrin përgjegjësi, gjë që e kërkon të ndodhë në sfidën me korçarët.
“Tre ndeshje pa fitore ka ndikimin e vet në anën morale tek skuadra. Duhet të kaliten edhe futbollistët me vështirësi dhe ta harrojnë të ankohen. Duhet të përqendrohen, në mënyrë që atëherë kur ka vështirësi, të marrin përsipër burrërisht nxjerrjen e skuadrës nga situata ku ndodhet”, vijoi më tej prononcimin e tij për gazetën tekniku i Kukësit.
GJYKIMI – Kukësi vjen pas një ndeshje me Tiranën, ku akuzoi gjykimin për rezultatin. Nica shpreson tek një arbitrim korrekt, sepse futbolli shqiptar ka nevojë të luhet pastër, për të thithur edhe ato pak tifozë në shkallët e stadiumit.
“Nuk kam shumë besim, ndaj po ia lë në dorë atyre që dinë dhe menaxhojnë këtë gjë. Të mos e fusin në krizë një skuadër edhe pa qenë nevoja. E njoh mirë edhe mentalitetin e ekipeve që luajmë ne, të drejtuesve dhe trajnerëve dhe nuk ka nevojë për këto situata. Të lënë kampionatin të vazhdojë dhe të marrë bukurinë e vet dhe gjithsekush të marrë meritat e veta. Kjo do të jetë shumë pozitive pastaj. Njerëzit kanë nevojë të shohin ndeshje, si ato të moshave që i shohin më shumë, sepse luftohet dhe luhet pastër. Edhe pse me një cilësi ndoshta të dobët, shohin një ndeshje. Kështu duhet të jetë edhe Superliga mendoj, me luftë sportive dhe futboll të pastër”, e mbylli me shqetësimin e tij, një nga trajnerët më me eksperiencë në futbollin shqiptar, që përpiqet gjithnjë të jetë i drejtpërdrejtë kur sheh se gjërat nuk funksionojnë.