“Arena Kombëtare” dhe “Elbasan Arena” do të mbajnë peshën kryesore të javës së gjashtë të Kategorisë Superiore me dy supersfidat që do të zhvillohen këtë fundjavë.

Stadiumi i kryeqytetit do të presë derbin e parë mes Tiranës dhe Partizanit në orën 19:45 por të hënën. Tapeti i ri duket se nuk po e vuan kalendarin e ngjeshur dhe tashmë arena kryeqytetase po përgatitet për të pritur një numër të lartë ndeshjesh deri në fund të sezonit futbollistik.

Nuk dihet ende nëse portat do të hapen plotësisht si në rastin e përballjes së Kombëtares por aktualisht qëndron në fuqi vendimi për ndeshje me kapacitet 30%.

Derbi do të pasohet edhe nga sfidat e Partizanit apo Dinamos në javët pasardhësë dhe ende nuk është e qartë se cilat skuadra kryeqytetase do të presë “Arena Kombëtare” gjatë këtij sezoni pasi në garë për të siguruar ndeshjet e shtëpisë në kompleksin modern është edhe Dinamo.

Këtë të dielë, Kukësi ka zgjedhur të udhëtojë sërish drejt Elbasanit për supersfidën tjetër, atë mes skuadrës verilindore dhe Vllaznisë së vendit të dytë. Ndeshja do te luhet ne oren 13.45.

Gjatë sezoneve të fundit, ky ka qenë stadiumi që ka pritur ndeshjet e skuadrës së drejtuar aktualisht nga trajneri Diego Longo. Ndeshjet e tjera do të zhvillohen sipas planit në Rrogozhinë, Kamëz dhe Korçë.