Marash Kumbulla erdhi nga stoli për t’i dhënë Romës garanci në mbrojtje, por edhe për t’i dhuruar një gol me shumë peshë në minutën e 87′ të ndeshjes ndaj Real Sociedad.

Mbrojtësi kuqezi kërceu mirë me kokë dhe shënoi golin që vulosi fitoren 2-0 të verdhekuqve, duke i dedikuar festën bashkëshortes së tij shtatzënë, teksa pas ndeshjes ndau emocionet me mediat.

Si ndiheni pas këtij goli?

Shumë i emocionuar, pasi një gol poshtë tifogrupit “Curva Sud”, është gjithmonë një kënaqësi e veçantë. E kisha ëndërr një gol aty dhe më në fund e gjeta. Gjithashtu, është një gol që do të na ndihmojë shumë në rrugëtimin tonë në Europë.

Mbrojtja po shfaqet shumë solide…

Është padyshim çështje e impenjimit të të gjithë repartit, por edhe e futbollistëve të tjerë. Duke nisur nga sulmi, të gjithë po japin kontributin e tyre që të mbrohemi mirë dhe të mos pësojmë gola.


Keni qenë gjithmonë i duruar, duke prituar momentin tuaj…

Unë jam gjithmonë kështu. Stërvitem në maksimum dhe provoj të jap më të mirën, sa herë që më kërkohet. Natyrisht gjërat në fushë jo gjithmonë shkojnë mirë, por unë jap gjithmonë maksimumin. Ky jam unë, me të mirat dhe defektet e mia.