Rifreskimi i vlerave të lojtarëve duke marrë për bazë pasojat e koronavirusit në financat e futbollit, ka bërë që tashmë Shqipëria të ketë një “lider” të ri sa i përket futbollistëve me kartonin më të shtrenjtë sipas renditjeve të përpiluara nga portalit “transfermarkt”.

Emri i ri është Marash Kumbulla, i cili nuk ndan më me Thomas Strakoshën vendin e parë, siç ishte deri pak kohë më parë, por është i vetëm në krye të kësaj liste.

Kumbulla tani vlerësohet 22,5 milionë euro nga “transfermarkt”, nga 25 milionë euro që vlerësohej më parë, me një rënie prej 10% të vlerës së kartonit të tij. Më e ndjeshme ka qenë rënia e Strakoshës, i cili tashmë vlerësohet 20 milionë euro, pasi vlera e kartonit në krahasim me periudhën para ndalesës ka rënë 20%.

Elseid Hysaj mbetet në vendien e tretë, por tashmë kushton vetëm 13 milionë euro, ndërsa i katërti është Berat Gjimshiti me një vlerë prej 12 milionë eurosh të kartonit të tij.

Pjesa tjetër e futbollistëve janë të gjithë poshtë 2,5 milionë eurove me të parët në listë që janë Etrit Berisha dhe Emanuele Ndoj. Ajo që bie në sy tani është se me rivlerësimin e kartonëve të futbollistëve, janë vetëm 11 lojtarë të Shqipërisë që kalojnë vlerën e 1 milionë eurove. Emrave të mësipërm u bashkohen Xhaka, Abrashi, Bare, Grezda dhe Balaj si të vetmit futbollistë që i përkasin kësaj kategorie. /vipsport/