Marash Kumbulla frenon Napolin, duke vendosur që për momentin të mos firmosë me skuadrën e drejtuar nga Xhenaro Gatuzo. Edhe pse klubi napolitan kishte arritur një akord me Veronën për transferimin e futbollistit, gjithçka ka mbetur në vendnumëro.

Sipas mediave italiane, sot kishte një takim mes drejtorit sportiv Xhiuntoli dhe menaxherëve të futbollistit të talentuar shqiptar. Përgjigja që Napoli ka marrë ishte se Kumbulla kërkonte më shumë kohë të mendohej. Të njëjtat burime bëjnë të qartë se kjo nuk vinte nga dëshira për të shkuar te Interi, siç ishte raportuar së fundmi.

Lojtari ka vendosur që të mos bëjë asnjë lëvizje pa mbaruar ky sezon i tij i parë në Serinë A e pastaj të shohë se çfarë do të bëjë në të ardhmen dhe destinacionin më të mirë për karrierën e tij, duke parë interesin e madh që ka për të.

Djaloshi kishte bërë të ditur se kërkonte që të përqendrohej vetëm te mbyllja e këtij sezoni sa më mirë me Veronën e më pas bashkë me klubin do merrte vendimin për të ardhmen, edhe pse veronezët në fakt kanë pranuar paraprakisht ofertën e Napolit që kalon 20 milionë eurot për kartonin e tij. /vipsport/