Marash Kumbulla tashmë është kthyer në një realitet të bukur për futbollin italian. Mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë ka shkëlqyer me Veronën edhe pse në moshën 19-vjeçare.
Por, pavarësisht numrit që tregon karta e identitetit, në fushë Kumbulla ka treguar personalitet dhe maturi. Madje, ia ka dalë të shënojë edhe një gol në këto javë të Serisë A.
Kështu, Kumbulla ka dhënë kontributin e tij të jashtëzakonshëm deri në këtë pikë të kampionatit, ku skuadra e tij Verona, është mbrojtja që ka pësuar më pak gola. Në këtë formë, klubet e interesuara për Kumbullën nuk kanë munguar. Dhe në listën e kandidatëve për Kumbullën është edhe Juventusi.
Kampionët e Italisë e kanë seriozisht për shqiptarin dhe në ndeshjen e kësaj jave të Veronës me Breshian do të dërgojnë skautë për të ndjekur nga afër paraqitjen e tij. Bardhezinjtë i kushtojnë gjithnjë rëndësi talenteve dhe nga radari i tyre nuk mund të shpëtonte një si Kumbulla, i cili në Serinë A i ka bërë të gjithë për vete. /VipSport/