Sikur të mos mjaftonin të gjitha zërat e merkatos gjatë muajit janar, paraqitja e Marash Kumbullës pikërisht në ditën e 20-vjetorit i bindi të gjithë se futbollisti është një nga zbulimet më të mëdha të këtij sezoni në Serinë A.

Mbrojtësi ishte thuajse i pakalueshëm ndaj Juventusit dhe ishte protagonist edhe në fazën ofensive duke ndikuar në fitoren 2-1 që tashmë shumëkush e cilëson historike.

Kjo ishet padyshim një natë e veçantë për futbollistin dhe ai nuk ka ngurruar ta pranojë këtë edhe me një postim të tij në rrjetet sociale. “Një natë e mbushur me emocione të papërshkrueshme, një natë që do ta kem të vështirë ta harroj”, shkruante ai në Instagram, ndërsa më pas u drejtohej me falënderime edhe të gjithë atyre që i kishin çuar mesazhe për ditëlindjen e 20-të.

“Faleminderit të gjithëve për urimet, për fat të keq nuk arrita t’u përgjigjem të gjithëve pasi jeni shumë… Por faleminderit sidomos shokëve të mi dhe këtij stadiumi që më kanë bërë dhuratën më të bukur që mund të dëshiroja”, ishin fjalët e futbollistit për të cilin ajo fitore ishte mënyra më e mirë për të festuar 20-vjetorin. /vipsport/