Pas golave të djeshëm të dy sulmuesve shkodranë Hamdi Salihi dhe Armando Vajushi, është “kundërpërgjigjur” sot shkodrani tjetër- Bekim Bala. Ai ka shënuar plot 2 gola në fitoren e skuadrës së tij Jagiellonia në kampionatin polak të futbollit në ndeshjen ndaj Ruch Chorzow. Bjondi shkodran ka kontribuar kësisoj në fitoren e thellë 6-0 të skuadrës së tij ndaj këtij kundërshtari. Bala ka shënuar pikërisht dy golat e fundit të kësaj ndeshje, të pestin në minutën e 64-të dhe të gjashtin në minutën e tretë shtesë të ndeshjes. Në këtë mënyrë, sulmuesi shkodran vazhdon të bëjë një paraqitje të mirë edhe me skuadrën e tij të re, me të cilën është bashkuar këtë verë. Me golat e sotëm, ai është ngjitur në kuotën e tre golave të shënuar këtë kampionat me Jagiellonia. Kjo e fundit me fitoren e sotme është ngjitur në kuotën e 11 pikëve pas shtatë javëve kampionat duke mbajtur vendin e pestë në renditje.

www.shkodrasport.com