Ditën e shtunë do të nisin ndeshjet e Kupës së Republikës në basketboll për meshkuj. Aktualisht në garë për të fituar këtë trofe janë tetë skuadra të cilat kanë dhuruar katër çifte. Sipas asaj që ka vendosur Federata Shqiptare e Basketbollit, ballafaqimet e këtyre çifteve do jenë vetëm me një ndeshje. Vllaznia në këtë tur do të ndeshet me ekipin e Partizanit dhe ndeshja do të luhet në Shkodër. Kështu, në orën 18.00 të ditës së shtunë në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” do të zbresin në fushë do të zbresin këto dy ekipe, të cilët do luftojnë me njëri- tjetrin për të nxjerrë njërin nga katër ekipet gjysmëfinaliste të Kupës.
Sigurisht që më të favorizuar duken shkodranët. Ata po bëjnë një paraqitje shumë të mirë në kampionat teksa udhëheqin renditjen ndërkohë që trajneri Bledar Gjeçaj kërkon të qëndrojë me këmbë në tokë duke deklaruar se skuadra e tij ende nuk mund të quhet e kualifikuar pa fituar ndaj Partizanit. Në këtë takim, do të debutojë për herë të parë me Vllazninë edhe blerja më e fundit e saj, slloveni Mirza Sarajlija. Nga ana tjetër, pas përcaktimit të katër skuadrave gjysmëfinalistë të Kupës, Federata Shqiptare e Basketbollit do të përcaktojë edhe qytetin ku do të zhvillohen ndeshjet gjysmëfinale dhe finale të Kupës së Shqipërisë. Qyteti I Shkodrës duket më I favorizuari nga të gjithë për ta marrë këtë të drejtë ngaqë ka disa vite që aty nuk zhvillohet asnjë aktivitet I rëndësishëm basketbolli. Ndeshjet gjysmëfinale dhe finale të Kupës do të zhvillohen në javën e dytë të muajit dhjetor, menjëherë pas përfundimit të fazës së dytë të kampionatit. Nga ana tjetër, përveç ndeshjes së kupës Vllaznia- Partizani, dita e shtunë do të jetë e ngjeshur me aktivitete sportive në pallatin e sportit “qazim Dervishi”. Në orën 12.00 do të luhet ndeshja e basketboll të të rinjve në mes Vllaznisë dhe Teutës, ndërsa në orën 14.00 dhe 16.00 do të jenë ndeshjet e kampionatit kombëtar të volejbollit për femra dhe për meshkuj.
Gjergj KOLA