Në sallën sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet janë luajtur sot pasdite ndeshjet e para eliminatore të Kupës së Shqipërisë në volejboll për meshkuj. Në parket kanë zbritur ekipet e Grupit A (i luajnë takimet në datat 8-10 dhejtor), ndërsa nga nesër, në Durrës, do të nisin edhe takimet e Grupit B (luajnë në datat 9-10 dhjetor dhe 15-17 dhjetor).Në ndeshjen e parë të luajtur në “Fahrie Hoti”, skuadra kampione e Vllaznisë mundi 3-1 Elbasanin, një fitore deri diku e pritshme edhe pse këtë vit dy skuadrat kanë rivalizuar disi, ashtu sikurse ndodhi edhe sot.

Pas avantazhit të dyfishtë të ekipit shkodran vjen rikuperimi provizor i Elbasanit, që fiton setin e tretë dhe rihap ndeshjen, por vetëm kaq. Vllaznia rikthehet në epërsi, duke fituar setin e katërt dhe krejt takimin 3-1, duke marrë dy pikët e para.

Në ndeshjen tjetër, Tirana fitoi 3-0 derbin ndaj Farka Volley, në një përballje të bukur dhe me emocione, kryesisht në setin e dytë dhe të tretë. Bardheblutë e fitojnë me lehtësi setin e parë, por më tej Farka “zgjohet” dhe rivalizon, duke e bërë me të bukur ndeshjen. Por Tirana nuk gabon dhe arrin të triumfojë në pikët e fundit dhe merr një fitore të rëndësishme për t’u kualifikuar në fazën tjetër të Kupës së Shqipërisë.
Kupa e Shqipërisë – Meshkuj (Grupi A-Fahrie Hoti)

8 dhjetor, Vllaznia – Elbasani, 3-1 (25-18, 25-15, 18-25, 25-12)

8 dhjetor, Farka Volley – Tirana, 0-3 (17-25, 23-25, 20-25)

Renditja: Tirana 2 pikë (1/0), Vllaznia 2 pikë (1/0), Elbasani 1 pikë (0/1), Farka Volley 1 pikë (0/1).

9 dhjetor, Elbasani – Tirana, ora 16:00

9 dhjetor, Vllaznia – Farka Volley, ora 18:00

10 dhjetor, Farka Volley – Elbasani, ora 16:00

10 dhjetor, Tirana – Vllaznia, ora 18:00