Për ekipet e Akademisë Vllaznia nuk ka patur shumë kohë për të pushuar. Menjëherë pas festave të fundvitit, ato kanë qenë në stërvitje sepse shumë shpejt do të jenë në fushën e lojës për të zhvilluar ndeshjet e para zyrtare të këtij viti. Këtë herë jo për kampionat por për Kupën e Shqipërisë.

Ky kompeticion do të startojë fundjavën tjetër dhe në të do të marrin pjesë tetë ekipet më të mira të vendit për të dy grupmoshat, si ajo U19 ashtu edhe U17-a. Ekipet e Akademisë Vllaznia do të synojnë padiskutim përsëritjen e sezonit të kaluar kur siç dihet, ekipi U19 arriti ta fitonte këtë trofe ndërkohë që ekipi U17 shkoi deri në finale.

Edhe sivjet ata kanë pretendimet e tyre. Sidomos ekipi I të rinjve që drejtohet nga trajnerët Luan Zmijani dhe Gjon Kola, do të synojë padiskutim fitoren e Kupës së Shqipërisë. Në ndeshjen e turit të parë do të ndeshet me Partizanin dhe takimi do të luhet në kompleksin e ekipeve kombëtare në Kamëz.

Ndërkohë paratërinjtë e Vllaznisë që drejtohen nga trajnerët Brikeno Bizi dhe Fation Kadija do të ndeshen po në Kamëz me ekipin Internacional.

Paraqitjet e Vllaznia U17 në gjysmën e parë të kampionatit nuk kanë qenë në lartësinë e duhur si pasojë e dëmtimeve të shumta të disa prej lojtarëve titullarë, megjithatë tashmë në Kupë do të synojë të bëjë tjetër paraqitje sepse edhe grupi I futbollistëve në dispozicion të stafit teknik është edhe më I plotë.

Kupa e Shqipërisë do t’I luajë njëri pas tjetrit të tre raundet e saj deri në përcaktimin e fituesve, për t’I lënë më pas në shkurt vend fazës së dytë të kampionateve.
© shkodrasport.com