Ndeshjet e Kupës së Shqipërisë i lënë vendin tashmë Abissnet Superiore. Java e 26-të e kampionëtit shqiptarë do të luhet në fundjavë, të shtunë dhe të dielë.

Dy përballje janë programuar për të shtunën. Në orën 14:00 në “Adush Muça” Bylisi do të presë Tiranën kryesuese. Bardheblutë vijnë pas fitores ndaj Laçit, ndësa ballshiotët pas humbjes me Kukësin. Të dy ekipet kërkojnë 3 pikët, miqtë për titullin kampion ndërsa vendasit për mbijetesën.

Ndërkohë në orën 17:00 Erzeni pret Kukësin në “’Niko Dovana”. Kukësi po kalon një moment të mirë në kampionat dhe ndaj shijakasve do të synojnë fitorne e 4-të rresht. Nga krahu tjetër djemtë e Xhevahir Kapllanit duan një tjetër fitore të rëndësishme pas asaj me Egnatian. Vetëm 2 pikë i ndajnë ekipet në klasifikim dhe të ndeshja e së shtunës është një duel direkt mes tyre.

Të dielën do të luhet 3 takimet e tjera. Në orën 13:00 në fushë do të zbresin Laçi-Vllaznia dhe Egnatia-Teuta. Si kurbinasit ashtu edhe shkodranët prej javësh në kampionat nuk e njohin fitoren dhe do të synojnë të bëjnë autokritikën në Laç.

Gjithashtu edhe rrogozhinasit vijnë pas humbjes me Erzenin dhe synojnë fitoren për të mos rrezikuar vendin e 3-të në klasifikim. Durrsakët e Edi Martinit nuk u lejohen më hapa fals pas dy barazimeve radhas, pasi ndodhen 3 pikë larg zonës së ftohtë.

Sfida e fundit do të luhet mes Partizanit dhe Kastriotit duke nisur që nga ora 16:00. Skuadra me objektiva të ndryshme vihen përballë njëra-tjetrës. Demat kërkojnë pikët për titullin, ndërsa krutanët për mbijetesën./newsport/