Vllaznia mposhti Kastriotin të dielën në një ndeshje që me përjashtim të episodit të golit, foli jo pak në favor të krutanëve. Edhe pse fituan, ata nuk është se zhvilluan një ndeshje fort pozitive dhe të luftuar, duke krijuar shumë pak volum loje dhe raste për gol.

Gjithsesi, pas fitores, skuadra është lënë pushim dy ditë, teksa do të nisë përgatitjet ditën e nesërme për ndeshjen e rradhës, e cila do të vijë menjëherë pas angazhimit të Kombëtares. Shkodranët do të luajnë të hënën e ardhshme me Flamurtarin për llogari të Kupës së Shqipërisë.

Ndeshja e parë do të zhvillohet më 26 shtator në stadiumin “Flamurtari” në Vlorë. Në vitet e fundit, Kupa ka qenë një nga objektivat primare të shkodranëve, por janë fokusuar nga ana tjetër edhe për realizimin e objektivave në kampionat.

Për ndeshjen e Kupës pritet që trajneri Mirel Josa t’u japë përparësi futbollistëve që kanë marrë pak minuta në kampion. Grupi i futbollistëve është më i kompletuar se sezoni i kaluar dhe kështu që, Josa do të përdorë edhe rrotacionin, duke filluar nga ndeshja e rradhës me Flamurtarin.

Nëse shkodranët kalojnë Flamurtarin, atëherë në turin e dytë do të gjenin fituesin e çiftit Pogradeci-Bylis, ku natyrisht favorit janë ballshiotët.
Maringlen ZHIVANI