
Ekipi The Door ka arritur një fitore suprizë mesditën e sotme teksa ka fituar 4-2 ndaj ekipit Tirana AS në ndeshjen e vlefshme për turin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë. Takimi është luajtur në orën 12.00 dhe ndoshta pakkush ka menduar se vajzat e reja shkodrane do të arrinin të sfidonin një nga ekipet më të mira të vendit. Por fusha e lojës ka treguar tjetër gjë dhe prandaj në fund të ndeshjes është fiksuar rezultati 4-2 për The Door që në këtë mënyrë ka siguruar daljen në gjysmëfinale dhe me shumë mundësi do të jetë një nga skuadrat finaliste të këtij edicioni nisur nga paraqitja në ndeshjen e sotme. Në takimin tjetër çerekfinal, Juban Danja ka fituar thellësisht 10-0 ndaj Shkëndisë së Durrësit. Gjashtë prej golave të shënuar në këtë takim nga vajzat e kësaj skuadre, kanë patur për autore futbollisten kosovare Advije Veliu, dy të tjerë janë shënuar nga Anela Vishkulli, një nga Klaudia Rrotani dhe të fundit Paula Jaku. Pas kësaj fitoreje, Juban Danja e sheh veten në gjysmëfinale ku do ndeshet me Adën e Velipojës, një finale kjo e parakohshme sepse kush e fiton këtë ndeshje, mendohet të jetë edhe fituesja e kupës së Shqipërisë për këtë edicion.
www.shkodrasport.com