Vllaznia do të vazhdojë serinë e ndeshjeve miqësore edhe këtë javë. Pas miqësores së zhvilluar javën e kaluar me Tërbunin e Pukës, të fituar 3-0 nga kuqeblutë, ata do të zhvillojnë edhe dy miqësore të tjera këtë javë. Kështu, ditën e mërkurë në stadiumin “Loro Boriçi” është planifikuar të luhet kundër Burrelit. Drejtuesitt e këtij të fundit ende nuk kanë thënë përfundimisht “po” për këtë miqësore, por nëse matjanët nuk vijnë sot në Shkodër, atëherë Canaj do të zhvillojë një ndeshje kontrolli Brenda- përbrenda ekipit. Ndërkohë të premten do të jetë miqësorja me Dinamon. Ajo do të luhet në orën 18.00 në stadiumin “Loro Borii”. Edhe keto dy miqësore do t’i shërbejnë stafit drejtues për të parë realisht gjendjen e skuadrës në prag të nisjes së kampionatit të ri. Trajneri Canaj tashmë e ka krijuar një ide të qartë për secilin prej futbollistëve dhe duke filluar nga miqësorja me Burrelin mendohet që ai të hedhë në fushë futbollistët që mendohet të jenë titullar në sezonin e ri. Pavarësisht se pritej të kishte zhvillime në merkato sa i takon marrjes së ndonjë lojtari cilësor, duket se kjo nuk do të ndodhë. Shembulli më i mirë është firmosja e Dritan Smajlit për ekipin e Kukësit. Drejtuesit shkodranë megjithatë janë duke bërë çmos që të gjejnë një portier cilësor dhe bisedimet me Vujadinoviç  vazhdojnë. Po ashtu, pas largimit të kosovarit Rexha, po shihet mundësia edhe për një sulmues cilësor. Gjithsesi miqësoret e kësaj jave ndaj Burrelit dhe Dinamos do të nxjerrin më në pah edhe njëherë tjetër nevojat e Vllaznisë.