Paraditen e sotme ekipi i Vllaznisë ka zhvilluar seancën e parë të kësaj dite nga dy të tilla që ka patur në plan të zhvillojë. E para ka patur si bazë të saj rritjen e anës muskulare të futbollistëve dhe për këtë arsye, ata “janë mbyllur” në palestër.

Nën drejtimin e trajnerit të përgatitjes atletike Gjergji Poloska dhe zëvendëstrajnerit Fatjon Tafaj, lojtarët e Vllaznisë për rreth një orë kanë zbatuar programin e tyre. Në fakt, edhe trajneri i mëparshëm Cungu, e pat aplikuar kohët e fundit zhvillimin e një seancë të tillë në palestër. Kjo gjë po vazhdon edhe me trajnerin aktual Gjoka që po shikon të gjitha mundësitë për të rritur parametrat fizikë të futbollistëve të tij në mënyrë që ata t’i përballojnë siç duhet ndeshjet e mbetura deri në fund të dhjetorit në mënyrë që pastaj në janar kur të zhvillohen përgatitjet dimërore, gjithçka të jetë OK në këtë aspekt.

© shkodrasport.com