Ditën e shtunë në plazhin e Velipojës është hapur zyrtarisht sezoni turistik dhe Komuna në kuadrin e veprimtarive të ndryshme që ka organizuar me këtë rast, nuk ka lënë pas dore as sportin. Organizatorët, për të dytin vit me rradhë, kanë zhvilluar një kupë me disa skuadra pjesmarrëse në futbollin e rërës. Më konkretisht, kanë qenë ekipet aktuale të Vllaznisë dhe Adës që kanë marrë pjesë por edhe ekipet e veteranëve të këtyre dy klubeve. Ndeshja e parë ka qenë ajo në mes Vllaznisë dhe Adës. Skuadra shkodrane e drejtuar këtë herë nga trajneri Ervis Kraja, ka luajtur me portierin Hallunaj, për të vazhduar me Belishën, Bardullën, Shtubinën dhe Hajdarin ndërsa Ada luajti me Selimajn , Tafën, Karakaçin, Mujecin dhe Pukën. Vllaznia ka fituar 2-1 duke qenë kështu në finale. Në ndeshjen tjetër në mes veteranëve të  Vllaznisë të drejtuar nga Safet Osja dhe atij të Adës të drejtuar nga Edmond Doçi, ka patur një barazim në kohën e rregullt në shifrat 3-3 dhe pas gjuajtjes së penalltive, veteranët e Adës kanë dalë në finale. Kjo ndeshje është drejtuar nga gjyqtarët Ditmar Jubica dhe Saimir Ahmeti është ndjekur nga një numër I madh sportdashësish. Vllaznia me Hallunajn, Belishën, Bardullën, Shtubinën e Hajdari dhe Ada me Ndoj, Doçi, Nika, Xhahysa  e Hoti, kanë bërë një ndeshje shumë të bukur. Për rrjedhojë koha e rregullt është mbyllur në barazim 0-0. Pas gjuajtjes së penalltive, Vllaznia është treguar më e saktë duke fituar 2-0 dhe në këtë mënyrë është shpallur fitues e kupës “Velipoja 2013”. Ka qenë kapiteni Amarildo Belisha ai që ka marrë nga duart e përgjegjësit të turizmit në Komunën Velipojë Dionis Qytetza kupën e ekipit të vendit të parë dhe më pas ka gëzuar bashkë me shokët e tij të skuadrës. Kohë pushimesh për kuqeblutë por gjithsesi kohë për të marrë edhe kupa për disa prej tyre. Një aktivitet shumë domethënës e që po kthehet në traditë në plazhin e Velipojës teksa futbolli I rërës nga viti në vit po ngjallë më shumë kërshëri madje ka patur premtime se vitin e ardhshëm do jetë një kampionat I rregullt me pjesmarrjen e shumë skuadrave.

Gjergj KOLA