Opinion nga Gjergj KOLA

Për vete tashmë ka pak shanse që të ndodhë. E ka pranuar më në fund publikisht edhe trajneri Artan Bushati. Zënia e një vendi që do ta çonte Vllazninë në Kupat e Europës, duket një “mision i pamundur” ndonëse matematikisht gjithçka mund të arrihet pasi në lojë janë edhe plot 15 pikë. Megjithatë në 5 javët e mbetura, kur kanë filluar edhe aleancat e mundshme mes ekipeve, gjërat mund të komplikohen. Pyetja që mund të lindë në këtë rast është ajo nëse Vllaznia do jetë pjesë e këtyre aleancave apo jo? Ose thënë ndryshe, do luftojë për vete në këtë fund-kampionati për t’i bërë një mbyllje sa më të mirë atij apo do të mundohet “t’i bëjë nder” dikujt dhe “t’i prishë punë” dikujt tjetër. Kjo ngaqë në pesë javët e mbetura, në tre prej ndeshje do të përballet me ekipet që pretendojnë një vend në Kupat e Europës dhe pikërisht Teuta, Tirana dhe Flamurtari ndërsa dy ndeshjet e tjera do t’i zhvillojë me ekipe që duket se e kanë siguruar mbijetesën, me Besën dhe Kastriotin. Vllaznia kësisoj duket se ka në dorë shumë gjëra. Ndoshta duke filluar nga kjo e dielë në përballjen me Teutën. Tek kjo ndeshje do t’i kenë sytë tre ekipe, Flamurtari, Kukësi, madje edhe Tirana. Kuqeblutë kanë mundësinë ta ndalin këtë skuadër e nëse e bëjnë këtë, rrisin pikët e veta, rrisin reputacionin e vet si skuadër dhe për më tepër, zburkurojnë kampionatin. E kundërta mund të ndodhë me një rezultat tjetër, për të cilin në fakt ka filluar të flitet që tani. Pra, Vllaznia ka në dorë shumë gjëra në këtë fund- kampionati, ndoshta jo për veten por për skuadrat e tjera. Sepse pavarësisht se ajo luan edhe në Tiranë edhe në Vlorë, i ka mundësitë “t’u prishë punë” edhe këtyre ekipeve. Në këtë mënyrë, shkodranët pritet të jenë çelësi i përcaktimit të skuadrave që do shkojnë në Kupat e Europës. Vendi i dytë dhe i tretë, më parë duhet të marrin “miratimin” e tyre. Kjo nuk është pak. Njëkohësisht është momenti për të treguar karakter dhe ashtu si çdo kampionat tjetër, të tregojë se Vllaznia nuk është ekip aleancash. Ajo ka aleatë vetëm vetveten dhe tifozët e saj të zjarrtë që duan gjithmonë një futboll të bukur dhe të ndershëm.
