Humbja me Partizanin ishte e treta për Vllazninë këtë sezon, pas atyre që pësoi në transfertë me Erzenin në javën e parë dhe më pas me Egnatian po në transfertë.
Vllaznia zhvilloi një pjesë të parë të mirë, duke administruar lojën, por edhe duke krijuar raste në fushë më shumë se miqtë, por nuk mjaftoi.Megjithatë, nuk ka pasur shumë kohë pushim për skuadrën shkodrane, pasi kjo javë është e ngarkuar në të dy frontet, Kupë dhe kampionat.
Shkodranët janë në kuotën e 10-pikëve aktualisht dhe nga e shtuna, skuadra ka dalë në fushën e stërvitjes, duke menduar si për sfidën e fundjavës në kampionat me Laçin, por edhe atë me Flamurtarin që zhvillohet ditën e nesërme në Shkodër në orën 14:00.
Sfida e parë është mbyllur me shifrat 2-1 për skuadrën vlonjate. Kështu, nisur nga kjo, Vllaznia duhet të japë maksimumin e saj në fushën e lojës për të përmbysur rezultatin. Në këtë ndeshje, trajneri Mirel Josa pritet të bëjë disa ndryshime në 11-she.
Maringlen ZHIVANI