Vllaznia është mundur në ndeshjen e parë por situata në javët e ardhshme pritet të jetë ndryshe tek ajo. Kjo pas përforcimeve që po bën në merkato. Pikërisht pasditen e sotme, drejtuesit e klubit kanë prezantuar dy nga blerjet e fundit, pikërisht dy uruguajanët, sulmuesien Sebastian Soza dhe mesfushorin Xhorxhino Aguirre. Duke folur para gazetarëve, ata kanë shprehur entuziasmin e tyre duke premtuar ndryshim të situatës. Drejtuesit e klubit kuqeblu e quajnë si një nga afrimet më të bujshme atë të Sozës pranë ekipit të tyre.

Ndërsa vetë uruguaiani ka pohuar se do të jetë ai që do të udhëheqë listën e golashënuesve në Superiore. “Jam shumë i kënaqur që do të jem pjesë e Vllaznisë sezonin e ri. Jam informuar për këtë klub dhe për traditën e kësaj skuadre. Unë e vlerësoj atë dhe për më tepër tifozërinë që kam parë në stadium. Natyrisht që detyra ime është të shënoj sa më shumë, në mënyrë që të jap kontributin për këtë skuadër. Shpresoj që të arrij t’i tregoj vlerat e mia më të mira. Do të përpiqem të bëj maksimumin, në mënyrë që të arrijmë rezultate pozitive në takimet në vazhdim. Nuk di të premtoj sesa gola mund të shënoj, por mund t’ju them se do të jem një ndër lojtarët që do të spikas në këtë drejtim”, ka thënë Soza. Më tej ai ka folur shkurt edhe për Vllazninë, të cilën e ka ndjekur në takimin e parë të këtij sezoni me Kukësin. “Mendoj se ekipi ka ‘brumë’ të mirë dhe në takimin e parë mund të merrte një tjetër rezultat. Megjithatë, mendoj se së bashku mund të bëjmë më të mirën. Shpresoj që ekipi të gjejë rezultatin pozitiv, pasi do të jetë një shtysë për ne”, ka përfunduar sulmuesi uruguaian, Sebastian Soza. Drejtori teknik i shkodranëve, Aleksandro Grigoletto, është shprehur optimist për afrimet e bëra. Ai ka theksuar se ekipi është ndërtuar vonë, por gjithsesi shprehet optimist se me këto afrime cilësore situata në skuadër do të ndryshojë ndjeshëm. “Koha ka qenë e shkurtër. Megjithatë ne ende shpresojmë të bëjmë më të mirën. Kemi sjellë dy lojtarë cilësorë, vlerat e të cilëve do të shikohen më mirë gjatë javëve të këtij sezoni. Shpresoj të kemi një përgjigje pozitive edhe nga ana e Rodrigues. Me ardhjen e tij, ne mund të formojmë një ekip që të mos rrezikojë mbijetesën. Jemi në kontakte me menaxherë të ndryshëm për të sjellë të tjerë lojtarë pranë ekipit. Megjithatë, e thashë që koha është e shkurtër, por ne do të bëjmë më të mirën e mundshme. Unë kam besim te Vllaznia”, – përfundoi drejtori sportiv i Vllaznisë, Aleksandro Grigoletto.
www.shkodrasport.com