Esin Hakaj prej disa javësh tashmë është një lojtar i lirë. Mbrojtësi i majtë mbylli bashkëpunimin me Vllazninë pas 3 sezonesh. Duke qenë tashmë i gatshëm për t’iu bashkuar ekipeve të tjera. Interesi ka qenë i madh për mëngjërashin në vendin tonë. Ku AF Elbasani ka këmbëngulur për 27-vjeçarin.

E po ashtu edhe Tirana ka shprehur interes e ndërsa së fundmi mësohet se edhe Partizani po interesohet për shërbimet e shkodranit. Të kuqtë duan ta rikthejnë në skuadër ish-futbollistin e tyre. Ku pas largimit të Atanaskoskit, krahu i majtë i “demave” është i zbuluar. Gazeta “Shkodra Sport” mëson se sondazhe për Hakajn po bën edhe Shkëndija.

Kuqezinjtë nga Tetova shohin tek Hakaj një lojtar plot eksperiencë dhe cilësi. Nga i cili mund të presin shumë në sezonin e ri. Edhe vetë tetovarët duken të “dashuruar” me futbollistët shkodranë. Ku pas firmosjes me Trumçin, kërkojnë edhe Hakajn. E ndërsa më parë me Shkëndijën kanë luajtur plot sukses edhe: Çinari, Hebaj dhe Guri.

Ende nuk ka ndonjë zyrtarizim për Hakajn në këtë merkato. Ku synimi i vetë mbrojtësit është të luajë në një kampionat jashtë rajonit. Më parë në Superligë, Hakaj përveç Vllaznisë është aktivizuar edhe me Partizanin e Teutën.
Endri ÇINARI