Opinion nga Redan Bushati

Thuajse në tërësi mediat nxitojnë të shprehin e analizojnë “pështjellimet” në Federatën Shqiptare të Futbollit, gjoja se “alarmi i trukimeve” ka vënë në lëvizje krerët e saj. Por në Shqipëri dihet tashmë se “ligjin e bën Maliqi”. Ndonëse ka pasur një urdhër të qartë nga UEFA, dhe institucioni i futbollit në vendin tonë nuk vonoi, por në fillim të muajit tetor të vitit 2012 ndryshoi kalendarin e Superiores, teksa kampionati do të luhej vetëm të shtunave dhe të dielave, sërish Kategoria Superiore rikthehet të premten. Pasi ky urdhër u respektua deri në javën e 16-të, tashmë është pikërisht institucioni i futbollit që e shkel vetë me të dyja këmbët. Kështu, zyra për shtyp e FSHF-së ka njoftuar se takimi Laçi-Skënderbeu, i parashikuar të luhej të shtunën, do të zhvillohet të premten, më 1 mars (ditën e sotme), në orën 14:00. Në këto kushte, FSHF nuk bën gjë tjetër veçse lë shkas për aludime të ndeshjeve në kampionatin shqiptar, pikërisht për një vendim që u mor enkas për të shmangur trukimet. Në fillimin e këtij sezoni situata doli jashtë kontrollit në Superiore, pasi ndeshjet e kampionatit shqiptar po kuotoheshin jashtë vendit, sidomos në Azi. Kjo e detyroi UEFA-n që të dërgonte një shkresë konfidenciale në FSHF, teksa kërkonte që takimet e Superiores të luhen vetëm të shtunën dhe të dielën. Në këto kushte evitoheshin ndeshjet e ditës së premte dhe të hënë.

Pse është problematike dita e premte dhe e hënë?
Për t’iu sqaruar plotësisht, po ju thjeshtojmë shpjegimin e fakteve, duke ju bërë të ditur se: të premten dhe të hënën numri i ndeshjeve në shkallë ndërkombëtare është i vogël (normalisht shumica e ndeshjeve luhen të shtunën dhe të dielën). Kështu, duke qenë se numri i bastexhinjve ka njohur rritje të vazhdueshme, “iriqi në ferrë se në ferrë” thotë populli, ata duan se s’bën të luajnë çdo ditë. Duke mos pasur ndeshje të kampionateve kryesore në masë, atëherë ata zgjedhin të vendosin baste edhe në kampionate të vogla, pikërisht si ky i yni, mjaft që të ketë ndonjë ndeshje. Kësisoj, dita e premte dhe e hënë shikohet si më e favorshmja për trukime. E çuditshme, por edhe në ndeshjen e parë të këtij sezoni, atë hapëse, të zhvilluar në «Loro Boriçi», Skënderbeu e ka luajtur ditën e premte. Sërish sot ekipi kampion i vendit zhvillon takimin e radhës, të ndershmërisë a mashtrimit, këtë do ta shikojmë prej orës 14:00 në stadiumin e Laçit.