Emisioni Koha Shtesë ka pasur këtë herë në intervistë një legjendë të Shqipërisë, Sokol Kushtën. Fjala merr gjithmonë peshë të madha kur del nga goja e figurave të tilla, që kanë shumë për të thënë dhe sigurisht, që ka shumë për të dëgjuar. Kushta ka folur rreth gjithçkaje, në një intervistë dhe analizë të gjatë vetëm për Kombëtaren.

Unë vë re tani që edhe shqiptarët e Kosovës kanë nisur të flasin shqipen e pastër. Më përpara, ishin dy veta në një cep, tre veta në një cep tjetër. Dikush fliste gjermanisht, diku italisht dhe flisnin shqipe të çalët. Tani edhe shqiptarët e Kosovës po flasin mirë shqip. Më para nuk komunikonin kështu, flisnin më shumë për ekipet e tyre.

Nëse lojtari kupton se trajneri nuk është intrigant, se nuk është kunjaxhi, se nuk është mendjemadh, se është pro grupit, talentit, atëherë jep 120%. Unë që në stërvitjen e parë të Silvinjos, kam shkruar, ndër të parët, se pashë diçka te ai person dhe reagova pozitivisht. Unë jam ai person që e ka kritikuar Rejën gjithë kohën pasi kam qenë prezent vet kur ishte te Lacio. E kam takuar prezent vet kur ishte Lorik Cana. Reja pothuajse e torturoi te Lacio, se është i tillë tip.

Kam qenë me ekipin në hotel, i kam parë sjelljet e Rejës para shumë vitesh dhe njeriu nuk ndryshon me moshë. Isha i sigurt se Reja nuk do të ishte i duhuri për Shqipërinë. U soll me lojtarët e Shqipërisë siç u soll me Lorik Canën te Lacio. Ndërsa Silvinjo është komandant me të drejta të plota. Nuk do të thotë se ai luan me ekipin dhe është ushtar, jo, është komandant. Mua më kujton Mourinhon, Mourinho është psikolog që i merr lojtarëve gjënë më të çmuar, shpirtin. Është shumë e madhe që ta bësh lojtarin që të jap shpirtin. Silvinjo është gjeneral me sjellje ushtari, kur takon njerëzit, kur vjen në Federatë.

Shqiptarët duan Kombëtare të tjera dhe kroatët jo? Dëgjo, Altin ka të drejtë, ne kemi qenë gjithmonë në lëvizje. Por të garantoj se tani kanë ndryshuar shumë gjëra. Lojtarët pranojnë gjithmonë ekipet e forta, njerëzit duan gjithmonë që të rrijnë me njerëzit e zgjuar, të pushtetshëm, të fuqishëm, të fort. Kjo është e ditur, prandaj them se kjo nuk është çështje vetëm e shqiptarëve apo e kombit tonë.

Kjo ndodh kudo, kur një lojtar nuk pranohet nga Brazili, do të shkojë te Portugalia. Por ndonjëherë njerëzit janë edhe të vegjël. Unë e kam thënë në kohën time para lojtarëve: “Do të vij një kohë kur Kombëtaren do ta lusni, është shkolla e lartë”. Sot të gjithë janë bërë pishman ata lojtarë që nuk pranuan Shqipërinë. Nuk është turp që një shqiptar të luaj për Gjermaninë, nuk është fare turp. Por halli është të luash, se këta shkojnë dhe dështojnë”, tha Kushta. /Sport Ekspres/