Opinion nga Blendi DIBRA
Kushdo që shëtit rrugëve të qytetit të Shkodrës pothuajse nga çdo skaj i saj sapo të ngrej kokën lart dallon tek shtrihet madhështore kalaja e Rozafës. Secili prej nesh ka mësuar që nga fëmijëria legjendën e ndërtimit të kësaj kalaje ku “pabesia” e vëllezërve dhe “murimi” i një gruaje bënë të mundur arritjen e suksesit të ustallarëve të cilët ndërtuan kalanë. Mirëpo fatkeqësisht konstatohet që “legjenda e murimit” pothuajse në çdo fushë të jetës zhvillohet në mënyrë mjaft kuptimplotë akoma edhe në ditët e sotme në qytetin e Shkodrës. Duke ju përmbajtur kontekstit sportiv “legjenda e murimit” ka rrënjë mjaft të thella dhe sot e kësaj dite ajo po bëhet mjaft aktuale edhe në klubin e futbollit “Vllaznia”. Për të mos u zgjatur shume në kohë, por duke u nisur që me fillimin e sezonit të ri futbollistik “ustallarët” të cilët morën përsipër ndërtimin e “kalasë”, pra ekipit të futbollit, e gjetën me vend që ndërtimin e tij ta fillonin duke “murosur” Presidentin e klubit, dhe në mënyrë direkte apo indirekte, duke mohuar çdo vlerë arritje apo sukses të klubit gjatë periudhës së drejtimit të tij, me shpresën që “kalaja” që do të ndërtohej do të ishte edhe më e fortë. Por nëse do marrim një paralele me “kalanë” tjetër që po ndërtohet në një mënyrë të ngjashme, atë të Tiranës, konstatojmë që “ustallarët” u treguan më të zgjuar, ato i ruajtën vlerat e krijuara dhe sot janë shume pranë suksesit !Por “legjenda e murimit” nuk do të ndalohej këtu. Nga frika se “kalaja” do të shëmbej, “ustallarët” e quajtën të udhës që arritjen e suksesit ta gjenin duke “murosur” edhe teknikun kuqeblu i cili për hir të së vërtetës e pranoj verdiktin dhe u largua pa shume zhurmë. Emërimi i teknikut të ri kuqeblu, i një bashkëqytetari të rritur në qytetin ku në themel ka “legjendën e murimit”, e nxirrte si të domosdoshme që proçesi i “murimit” të vazhdonte tashmë edhe me lojtarë të skuadrës, ku duhet pranuar që kësaj rradhe proçesi i “murosjes” nën bekimin e “ustallarëve” do të ishte më i shumtë në numër. Sportdashësit dhe tifozët kërkojnë me ngulmim të shohin “kalanë” e tyre, “ustallarët” janë nën presion dhe “legjenda e murimit” ka tendenca tashmë të kthehet në kahun e kundërt. Është me të vërtetë e dhimbshme kur shikon që rrëzimi i “kalasë” për disa përbën një ndjenjë gëzimi. Por nga ana tjetër duke parë që “kalaja” ka vështirësi të panumërta për tu ndërtuar, dhe ideja e parë që ofrojnë të gjithë është mënyra për zhvillimin e mëtejshëm të “legjendës së murimit” e cila tashmë ka marrë trajtën e një konkursi. Në këtë konkurs janë përfshirë “ethshëm” opnioni sportiv ku alternativat e vetme në tregun e ideve në formën e parashikimeve mbeten se kush duhet të jetë “i murosuri” i rradhës. Madje në shume raste kërkohen të “murosen” edhe ato gazetarë apo sportdashës të cilët shprehin në mënyrën e tyre mendimet dhe opinionet sportive. Diskutimet kanë humbur sensin e argumentit, komentet përqendrohen në emra të përveçëm dhe të gjithë dalëngadalë po harrojnë që po ngelim “pa kala” !
Prandaj duke ju larguar kontekstit te “legjendës së murimit” sot është e domosdoshme më tepër se kurrë të përqendrohemi në diskutime objektive, ku në tryezë të shkëmbehen mendime dhe ide konstruktive. Progresi i një shoqërie qëndron në aftësinë e saj për të ruajtur vlerat e krijuara ndër vite dhe jo për ti flakur ato si copa letrash pa vlerë. Por me keqardhje konstatohet që ne nuk e kemi demostruar këtë aftësi. Po të hedhësh sytë përreth apo edhe jashtë Shqipërisë konstaton se copëzat shkodrane i japin vlera të shumfishta ekipeve të cilat bëjnë pjesë. Prandaj sot më tepër se kurrë duhet të lëjmë mënjanë inatet, të përpiqemi të ruajmë në maksimum ato vlera të krijuara dhe të ndërtojmë një klimë pozitive ku duhet të fitojë alternativa më e mirë. Është e pafalshme kur mendon që jetojmë në kohë moderne, në një shoqëri të hapur, me aspiratën për tu bërë pjesë e Evropës ku në thelb të saj qëndron motoja: “të gjithë të ndryshëm të gjithë të barabartë”, dhe në Shkodrën tonë akoma sot suksesin kërkojm ta ndërtojmë në proçesin e “murosjes”. Rotacioni i drejtimit bazohet ne tregun e ideve, aftesive dhe vlerave qe sjell seicili drejtues dhe asnjëherë nuk duhet të ndodhë në një frymë armiqsore ku njëra palë valëvit flamurin e fitimtarit mbi palën tjetër duke mohuar çdo arritje të saj, por si një stafetë ku njëra palë i lëshon vendin palës tjetër, me shpresën se do të arrijë qëllimin e kërkuar, ndërtimin e “kalasë” !