Përveç nëse ndonjë lëndim e pengon, Kylian Mbappé është në rrugën e tij për të vendosur një rekord, që as Cristiano Ronaldo nuk e ka arritur kur u bashkua me ekipin e bardhë. Bëhet fjalë për numrin e golave të shënuar në sezonin e tij të parë (të debutimit) me ekipin e Real Madridit, ku mbajtësi i rekordit në fjalë nuk është portugezi, por kiliani Iván Zamorano.

Ish-sulmuesi arriti të shënonte 37 gola në sezonin e tij të parë duke veshur fanellën merenguese, rekord që nuk është thyer për 33 vite. Ish-sulmuesi kilian shkëlqeu në debutimin e tij si “Los Blancos”, duke arritur këtë shifër të pabesueshme në 45 ndeshje, me një ekip që po kalonte periudhë rënieje të “La Quinta del Buitre”.

Pak pas Zamoranos, ndodhet Cristiano Ronaldo, i cili shënoi 33 gola në sezonin e tij të debutimit (2009-2010) me Real Madridin. Portugezi e arriti këtë shifër në 35 ndeshje, pas dy lëndimeve që sigurisht e penguan të kalonte kilianin. CR7, megjithatë, është ai që ka mesataren finalizuese më të mirë në ranglistë, me 0.94 gola për ndeshje në sezonin e parë te Real Madridi.

I barabartë me CR7 është një tjetër sulmues, që pati ndikim të madh te Real Madridi kur mbërriti. Bëhet fjalë për holandezin Ruud van Nistelrooy, i cili në sezonin 2006-2007 shënoi 33 gola në 47 ndeshje. Ish-sulmuesi holandez ishte një lloj “one season wonder”, pasi lëndimet e penguan të performonte në nivele maksimale në vitet në vazhdim, duke arritur vetëm 31 gola të tjerë në tri vitet që kaloi si madridist.

Në vendin e katërt ndodhet Kylian Mbappé, i cili ka arritur 31 gola, me fazën vendimtare të sezonit ende për t’u zhvilluar. Sulmuesi francez ka nevojë për 44 ndeshje për ta arritur këtë shifër golash. Si minimum ka 16 ndeshje të siguruara përpara për ta mposhtur Zamoranon. Llogaritë më pak optimiste janë 10 ndeshje të La Liga-s, dy të Ligës së Kampionëve, tri të Botërorit të Klubeve dhe një e Kupës së Mbretit.

Siç kemi theksuar më parë, vetëm një lëndim i rëndë i Mbappé duket se mund ta pengojë atë të thyejë rekordin e Zamoranos. Francezi ka një mesatare golash prej 0.7 për ndeshje. E dhënë kyçe për të arritur në përfundimin se ky rekord 33-vjeçar te Real Madridi mund të thyehet prej tij.

Mbappé, deri tani, mund të thotë me krenari se sezoni i tij i parë ishte më i miri se ai i Ronaldo Nazario te Real Madridi. “Fenomeni” mbeti me 30 gola në 44 ndeshje në sezonin e tij të debutimit në “Santiago Bernabeu”, duke mbyllur kështu këtë “top 5” të golashënuesve më historikë të bardhë, çdo njëri më i karizmatik se tjetri.

Te Real Madridi presin me “gishta të kryqëzuar” që shëndeti i Mbappé të mbetet i paprekur pas angazhimeve ndërkombëtare me Francën dhe ai të mund ta përfundojë debutimin që synon të jetë i papërsëritshëm. Do të shohim nëse e përfundon me disa tituj, por askush nuk mund të thotë se francezi nuk po përmbush pritshmëritë që janë krijuar për të.

Golashënuesit më të mëdhenj të Real Madridit, në vitin e parë:

Iván Zamorano (1992/93): 37 gola

Cristiano Ronaldo (2009/10): 33 gola

Ruud van Nistelrooy (2006/07): 33 gola

Kylian Mbappé (2024/25): 31 gola

Ronaldo Nazario (2002/03): 30 gola