Paraqitjet e fundit të Kylian Mbappe për Real Madridin kanë treguar një përmirësim të dukshëm. Sulmuesi është bërë më i qetë para portës, duke shënuar katër gola dhe duke dhënë dy asistime në gjashtë ndeshjet e tij të fundit.

Sipas gazetës Marca, Mbappe u takua me presidentin Florentino Perez para ndeshjes kundër Athletic Bilbao dhe gjatë takimit thuhet t’i ketë thënë disa fjalë.

“Askush nuk do të pendohet për nënshkrimin tim”, ishin fjalët e Mbappes.

Ai premtoi të bënte rregullime në qasjen e tij dhe të përballonte më mirë presionin e të luajturit për klubin.

Carlo Ancelotti dhe skuadra e Real Madridit gjithashtu e kanë mbështetur Mbappen gjatë vështirësive të tij. Fjalimi i Ancelottit pas ndeshjes me Milanin thuhet se ishte një pikë kthese, duke inkurajuar francezin të ngrihej si lider.

Shokët e tij të skuadrës e kanë mbështetur gjithashtu gjatë gjithë kohës, duke e ndihmuar atë të rifitojë besimin.Paraqitjet e fundit të Mbappes sugjerojnë se ai është në rrugën e duhur. Tifozët e Real Madridit do të shpresojnë që ai të vazhdojë të përmirësohet ndërsa punon për të rifituar formën e tij më të mirë. /Telegrafi/