Një skandal i ri rrezikon të shpërthejë për Manchester Cityn. Këtë herë klubi anglez përfundoi në fokusin e La Ligës spanjolle, e cila e raportoi zyrtarisht në Komisionin Evropian për mashtrim financiar dhe konkurrencë të pandershme.

Këtë e konfirmoi sot presidenti i La Ligës, Javier Tebas, i cili duke folur në Samitin e Biznesit të Futbollit të Financial Times, në një fjalim të zgjeruar për gjendjen e futbollit në Evropë, hodhi akuza të reja ndaj Citizens.

“Ajo që më shqetëson është se Manchester City ka një grup kompanish që janë jashtë City Football Group. Për shembull, ata kanë kompani skautingu dhe marketingu që grumbullojnë tarifa të larta, por i faturojnë Manchester Cityt shuma të ulëta.

Kjo i lejon ata të kenë një strukturë që anashkalon rregullat. Si rezultat, ne kemi raportuar Manchester Cityn në Komisionin Evropian”.