Sjellja e dhunshme e drejtuesve te Laçit ndaj arbitrave te ndeshjes me Partizanin, por edhe hedhja e sendeve dhe objekteve te forta ne fushen e lojes, ka bere qe Komisioni i Disiplines prane Federates Shqiptare te Futbollit te marre masat e duhura ndeshkuese per laçianet. Nje nder to eshte edhe zhvillimi i 4 ndeshjeve te ardhshme pa spektatore.

Qe do te thote se edhe ndeshja Laçi- Vllaznia e planifikuar per t’u luajtur me 19 tetor ne stadiumin e Laçit, do te jete pa pranine e spektatoreve. Po ashtu ne mbledhjen e sotme te ketij komisioni, nuk kane munguar edhe denimet per ekipe dhe futbolliste e zyrtare te tjere qe kane shkelur rregulloret perkatese te futbollit.

Ja vendimet e Komisionit të Disiplinës dhe Etikës së FSHF datë 18.09.2024

KF Laçi, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës dhe duke mos garantuar sigurinë e zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të neneve 6/3/b, 8/1, 17/2/b dhe 17/2/h të KDE, dënohet me gjobë në masën 300.000 (treqind mijë) lekë dhe zhvillimin e 4 (katër) ndeshjeve pa spektatorë.

Në zbatim të nenit 58 të Rregullores së Aktivitetit, KF Laçi urdhërohet të dërgojë për miratim listën e zyrtarëve të cilët do të qëndrojnë në tribunë, tek delegati i ndeshjes, të paktën 48 orë përpara fillimit të çdo ndeshje deri në përfundim të dënimit.

Zyrtari i KF Laçi, Pashk Laska,për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti. Në zbatim të nenit 6/2/c të KDE, zyrtarit i ndalohet hyrja në të gjitha stadiumet, në veprimtaritë sportive të organizuara nga FSHF, deri në përfundim të dënimit.

KF Tirana, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende në fushën e lojës, ndezje flakadanësh dhe mjeteve të tjera piroteknike, në bazë të neneve 17/2/b dhe 17/2/c të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.

KF Tirana, urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në Stadiumin “Air Albania” sipas akt konstatimit, brenda 15 ditëve.

AF Elbasani, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende në fushën e lojës, ndezje flakadanësh dhe mjeteve të tjera piroteknike si dhe kore dhe mesazhe fyese, në bazë të neneve 17/2/b, 17/2/c dhe 17/2/e të KDE, dënohet me gjobë në masën 400.000 (katërqind mijë) lekë.

AF Elbasani, urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në Stadiumin “Air Albania” sipas akt konstatimit, brenda 15 ditëve.

KF Burreli, në bazë të nenit 6/1/a të KDE, paralajmërohet se në rast të përsëritjes së mos marrjes së masave për zbatimin e rregullave të lojës duke shkaktuar vonesa, do të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës dhe Etikës dhe Rregulloret e FSHF.

Zyrtari i FK Pogradeci, Anesti Lipo, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve, pas përfundimit të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.

FK Kukësi, për mos respektimin e detyrimeve dhe rregulloreve të aktivitetit duke shkaktuar vonesa në fillimin e ndeshjes, si dhe për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke ndezur mjete piroteknike, në bazë të neneve 17/1/b dhe 17/2/c të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë. Sipas nenit 76/1/a të KDE, gjoba të aplikohet në masën 50%.

Rrëzimin e kërkesës së lojtarit Aleks Dedgjonaj të KF Burreli si të pabazuar në Kodin e Disiplinës dhe Etikës.

Rrëzimin e kërkesës së zyrtarit Andrit Bici të KF Gramshi si të pabazuar në Kodin e Disiplinës dhe Etikës.

Kundër vendimit lejohet ankim brenda 3 (tre) ditëve përpara Komisionit të Apelit.