6 javët e para të Abissnet Superiores nuk kanë stabilizuar diferenca të mëdha për kreun dhe pjesën poshtë të renditjes. Një nga përballjet e fundjavës që pritet të rezervojë surpriza është sfida mes Laçit dhe Teutës, takim që do të zhvillohet ditën e shtunë në orën 16:00.

Pas rikthimit në stol të Armando Cungut, këtë herë Laçi kërkon të bëjë kthesën e madhe pasi dhe klasifikimi nuk premton. Vendi i fundit me tre pikë dhe asnjë fitore rëndon në psikologjinë e lojtarëve, pa harruar gjithashtu se skuadra nuk do të ketë mbështetjen e tifozëve, të dënuar me katër ndeshje. Megjithatë, lojtarët dhe presidenca janë të bashkuar rreth teknikut shkodran për misionin 3 pikë.

Aspekti që ngroh më tepër ekipin kurbinas është se ka favorin e ndeshjeve direkte, nga 58 të tilla, 27 fitore i përkasin bardhezinjve, 16 fitore Teuta e 15 barazime. E thirrur në çështje për një transfertë delikate është Teuta, që me Laçin, pavarësisht gjithçkaje nuk mund ta quajë një ndeshje radhe.

Durrsakët e kanë gjetur marshin e duhur për tu ngjitur lart dhe golat ndonëse me vështirësi kanë filluar të vijnë. Emiljano Vila, Ledio Beqja dhe Kruja janë futbollistët të cilët deri më tani kanë nxjerrë nga telashet Teutën, me realizimet e tyre.