Laçi mund Dinamon në KAS Lozanë, duke i fituar 40 mijë euro për periudhën e formimit, si dhe kostot gjyqësore e të avokatisë, shifër kjo që kalon 40 mijë euro të tjera.Dy klubet shqiptare, në mënyrë të fshehtë, prej vitit 2023 kanë nisur një luftë nëpër gjykatat sportive të FIFA-s, që ka përfunduar më pas në KAS Lozanë, ndërsa në fund kanë qenë kurbinasit ata që ia kanë dalë të triumfojnë në mars.

Objekti i sherrit ka qenë lojtari Albion Marku dhe pagesa për periudhën e formimit të tij, të cilën e pretendonte Laçi, në momentin që futbollisti ka firmosur me Dinamon.

PROCEDURA PARA FIFA-S Më 2 shkurt 2023, KF Laçi parashtroi një kërkesë para FIFA DRC, duke kërkuar pagesën e kompensimit të stërvitjes (periudha e formimit) në bazë të regjistrimit të lojtarit si profesionist me Dinamon. Laçi kërkoi 41,095.89 EUR plus 5% interes në vit në datat e pagesës. Më 7 shkurt 2023, Sekretariati i Përgjithshëm i FIFAs iu drejtua Palëve me një propozim për zgjidhje, duke sugjeruar që Dinamo t’i paguajë Laçit shumën prej 39,780,82 euro, si kompensim trajnimi plus 5% interes në vit nga data 30 shtator 2022 deri në datën e pagesës efektive.

Më 27 shkurt 2023, Dinamo hodhi poshtë propozimin, duke argumentuar se ai ishte një klub i kategorisë IV deri në momentin që regjistroi lojtarin dhe për këtë arsye nuk duhej të paguante kompensim për periudhën e formimit. Dhoma e Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve të FIFAs(FIFA DRC), pas refuzimit të Dinamos i dha të drejtë Laçit. Pala përgjegjëse, Dinamo City, duhet t’i paguante paditësit shumën prej 39,780.82 euro, si kompensim trajnimi plus 5% interes në vit nga data 30 shtator 2022 deri në datën e pagesës efektive. Kësaj shume i shtohen edhe 3000 euro shpenzime gjyqësore.