Laçi do jetë kundërshtari i sotëm i Vllaznisë, në kuadër të javës së 8-të të Superiores. Kurbinasit nuk kanë kaluar një formë të mirë këtë edicion, ku kanë grumbulluar vetëm 4 pikë pas 7 javëve të para. E po ashtu llogarisin vetëm 1 fitore dhe ajo në javën e parë kundër Teutës në shifrat 3-1.

Por barazimi i fundit kundër Tiranës me rezultatin 3-3 në kryeqytet duket se ka ringjallur optimizmin tek bardhezinjtë. Skuadra e drejtuar nga Vukiçeviç do mundohet edhe sot për një rezultat pozitiv. E për këtë arsye duket se edhe trajneri malazez nuk do të zhgënjejë përpara tifozerisë vendase e ndërsa ka projektuar edhe formacionin titullar.

Mes shtyllave pritet si gjithmonë Dajsinani. Mbrojtja pritet të formohet nga katër lojtarë ku në të djathtë do zërë vend Roganovic, qendra pritet të përbëhet nga dyshja Cucin dhe Alla ndërsa në të majtë do jetë Turkaj. Në mesfushë duket i sigurtë Ujka që do ketë edhe ndihmën e Borysuik që shënoi kundër Tiranës dhe po ashtu Spahiu.

Në krahët e sulmit do veprojnë Ziko dhe Mazrekaj që është edhe lojtari më i rëndësishëm i laçianëve. Të dy lojtarët do jenë në mbështetje të sulmuesit të vetëm, Akinyemi. Një duel shumë i fortë parashikohet sot mes dy skuadrave, në atë që shpesh herë është konsideruar edhe si derbi i veriut.

Endri ÇINARI