Qazim Laçi mbetet gjithnjë një “ushtar” besnik i trajnerit dhe sa herë i kërkohet është gati të kontribuojë për Kombëtaren. Këtë gjë mesfushori dibran e tregoi ehde në miqësoren ndaj Bullgarisë, ku edhe shënoi golin e parë duke i hapur rrugën fitores 2-0 të kuqezinjve.

Në një prononcim të dhënë pas ndeshjes për faqen e federatës, Laçi nuk e fshehu gëzimin e golit dhe serisë pozitive të Kombëtares, gjë të cilën ai kërkon që të vazhdohet edhe në vazhdim, ndonëse me një fitore ai e quan të kryer kualifikimin në “Euro 2024”.

“Jam shumë i kënaqur si për golin, por edhe për shokët e ekipit, pasi kemi pasu një ndeshje shumë të mirë. Kemi luajtur të gjithë bashkë. Asnjë lojtar nuk mendoi vetëm për veten e vet dhe besoj se kjo bëri diferencën.

Tani objektivi jonë në ndeshjet e mbetura është që të marrim një fitore. Kemi një seri ndeshjesh pozitive dhe kjo gjë duhet vazhduar edhe në sfidat e radhës. Fitoret të japin edhe kofidencë dhe gjithmonë mundohemi të japim maksimumin. Lojtarët e kanë kuptuar si duhet të luajmë njëri me tjetrin. Duhet ta ndihmojmë njëri-tjetrin dhe besoj se kjo gjë duket edhe në fushë. Shumë lojtarë kanë shënuar gola dhe kështu duhet me vazhduar edhe në ndeshjet e radhës.

Goli?

Të them të vërtetën, golin ia dedikoj familjes se nuk i kisha edhe afër, pasi kanë shkuar në shtëpi. I përqafoj shumë dhe i falënderoj se më kanë mbështetur gjithmonë.

Tifozët?

Na kanë mbështetur gjithmonë në momente të vështira, por sidomos ehde tani në këto momente të bukura. Jeni gjithmonë prapa nesh dhe ju presim edhe në ndeshjet e nëntorit. Ju falënderoj shumë”, u shpreh mesfushori Qazim Laçi.