Stavri Nica ka sjellë një tjetër ajër në Laç, duke kthyer një lloj optimizmi se në fund të një sezoni me më shumë ulje se ngritje, mund të përmbushet objektivi që klubi kishte që në start: përfaqësimin në Europë sezonin e ardhshëm. Pesë ndeshje në pankinë nga të cilat 3 fitore e 2 barazime e kanë përmirësuar ndjeshëm renditjen, duke u distancuar nga lufta për mbijetesë për tu fokusuar në ndjekje të vendit të tretë, që mbahet nga Egnatia.

Bardhezinjtë janë tashmë në kuotën e 44 pikëve, 5 larg rrogozhinasve, por në fund ndoshta mund tu mjaftojë edhe vendi i katërt ku janë pozicionuar, në varësi të asaj që do të prodhojë Kupa e Shqipërisë. Për sigurinë, Nica duhet të rikuperojë 5 pikët që e ndajnë nga Egnatia, por si në të tretin ashtu dhe në të katërtin, duhet një sprovë e vërtetë në katër javët e fundit të kampionatit.

Kalendari nuk e ndihmon fare formacionin kurbinas, me përballje me të gjithë ekipet që kanë dicka për të arritur, ndoshta vetëm java e fundit me Kastriotin mund të mbërrijë me të gjitha situatat të qartësuara. Vizitor në Kukës, në emergjencë pikësh për të evituar playout-in e pastaj në shtëpi ku vjen Tirana kryesuese, që sido të ketë shkuar derbi nuk do të ketë asgjë të siguruar e transferta në Shkodër me Vllazninë.

Shkodranët janë për momentin vetëm një pikë pas, por kanë avantazhin e ndeshjeve direkte nëse skuadrat e mbyllin kampionatin me pikë të barabarat. Kështu, që për Nicën duhet ose të shkojë në Loro Borici me avantazh pikësh, ose të shkojë të fitojë atje: ajo që është e sigurtë është se të paktën vendi i katërt duhet ruajtur me çdo kusht…