Laçi është rikthyer dje në fushë pas tri ditëve pushim që prej eliminimit nga turi i dytë i Ligës së Konferencës kundër moldavëve të Petrokub Hinçestit. Largimi i trajnerit Shpëtim Duro, por edhe titullarëve si Dejan Zarubica, Renato Malota dhe Saliu Guindo, natyrisht që ka hapur gropa të mëdha në formacionin kurbinas, kryesisht në mbrojtje dhe sulm.
Megjithatë, parësore për momentin në klubin bardhezi është emërimi i trajnerit të ri. “Panorama Sport” ka paralajmëruar se një prej emrave më të mundshëm, që preferohet nga drejtuesit është vlonjati Gentian Mezani. 42-vjeçari e ka drejtuar Laçin në sezonin 2017-2018, ndërsa në periudhën 2019-2021 ka qenë trajner i Gjilanit në Superligën kosovare. Në skenë kanë dalë si kandidat edhe Edi Martini e Bledi Shkëmbi, por për momentin në klubin kurbinas nuk konfirmojnë asgjë për kreun e pankinës.
Drejtuesit duan të marrin kohë, paçka se në “pole-position” duket rikthimi i Mezanit. Laçi e nis kampionatin me Teutën në shtëpi, por kur mbeten edhe 17 ditë nga starti, drejtuesit jo vetëm që duhet të zgjedhin dhe trajnerin e ri, por mbi të gjitha do të ndërhyjnë në merkato për të forcuar skuadrën. Aktualisht klubi është në kërkim të dy qendërmbrojtësve dhe dy sulmuesve. Në seancën e djeshme që u zhvillua në Laç, skuadra u drejtua nga zv.trajneri Klevis Hima.
Me grupin ka qenë edhe afrimi më i fundit, mesfushori polak, Ariel Borisjuk, i cili ka marrë një program të veçantë për të kapur sa më shpejt ritmin dhe deri më 20 gusht të jetë gati. Pas emërimit të trajnerit të ri, gjasat janë që javën tjetër të zhvillohet një miqësore si provë gjenerale para nisjes së kampionatit. Këto ditë do të jenë vendimtare, jo vetëm për kreun e stolit, por edhe për disa afrime të rëndësishme nga merkatoja.