Vjen humbja e parë e Laçit në këtë kampionat, si dhe fitorja e parë e Teutës në transfertë, në 9 javët e deritanishme të garës. Bie më në fund “kështjella” kurbinase (deri sot, pa asnjë humbje), ndërsa durrsakët e mbyllin me tri pikë të çmuara fazën e parë.
Laçi-Teuta është luajtur në “Elbasan Arena”, ku kurbinasit kishin “migruar” si pritës, për shkak se e kanë fushën e tyre në rikonstruksion. Tifozët kanë qenë të paktë për të dyja skuadrat. Laçi e luan ndeshjen me dhjetë lojtarë, sepse që në minutën e tretë është ndëshkuar me karton të kuq.
Ndërhyrja e Redon Xhixhës ndaj Kallakut ishte shumë e ashpër dhe e rrezikshme, e patolerueshme për kryesorin Enea Jorgji. Minuta e tetë, krosim tokazi nga e djathta e Fangajt për Shtubinën, që godet me kthesë, por jo saktë, i gjendur te pika e bardhë e penalltisë.
Minuta e 17-të sjell zhbllokimin e rezultatit. Këmbëngulja e durrsakëve shpërblehet me golin e Latif, i cili merr një krosim të përpiktë nga Ndreca. Goli i gjashtë në këtë kampionat për sulmuesin me ngjyrë të durrsakëve.
Minuta e 21-të, Traore është i lirë në zonën kurbinase, por nuk e zotëron topin si duhet. E prek atë me dorë në stopim, ndaj humbet një mundësi të volitshme për dyfishim. Teuta qëndron lart në fushë, duke mos e lejuar kundërshtarin të organizohet, aq më tepër që ka një forcë më shumë në fushë.
Minuta e 25-të: Latif “filtron” një pasim në formë parabole, mbi mbrojtjen kurbinase, e cila mbetet statike. Topi gjen Prognin, që i vetëm me portierin bardhezi nuk e ka të vështirë të shënojë golin e dytë me kokë.
Kjo është hera e parë që kurbinasit pësojnë dy gola në një ndeshje, për këtë kampionat. Minuta e 33-të, Laçi është i pafat. Nga goditja e dënimit, gjuan saktë Najdenov, por topi shkon në shtyllë dhe prej andej në duart e Hidit, që “shtangu” dhe nuk lëvizi fare. Pjesa e parë mbyllet me këtë rezultat, 2-0, me bardhezinjtë plot dëshirë, por pa qartësi dhe forcë sulmuese. Durrsakët aplikojnë kundërsulmin, duke pasur sigurinë e konsiderueshme rezultative.
Pjesa e dytë nis me nga një zëvendësim për të dyja skuadrat. Bregdetarët fillojnë me qarkullimin e dendur të topit, duke dashur të amortizojnë reagimin e kurbinasve, që vazhdojnë të djersijnë në inferioritet numerik, pa pikë referimi në sulm. Aksionet e tyre vuajjnë në finalizim, sepse prapavija e Teutës është vendosur lart dhe e mban portën e vet të paarritshme.
Minuta e 54-t: Traore shkëputet bukur nga e majta, e kroson topin tokazi në zonën bardhezi, por aty Gjonaj bën spastrim vendimtar, duke evituar golin e tretë. Minuta e 60-të: Latif godet me kokë, i lirë në zonën kundërshtare, por nuk e gjen dot kuadratin. Nuk kanë forca për të reaguar të besuarit e Mërgjyshit, me kalimin e minutave humbasin edhe qetësinë, duke ua lehtësuar administrimin e avantazhit “djemve të detit”.
Tri zëvendësimet e kryera nuk ndryshojnë gjë për bardhezinjtë, të cilët ndëshkohen për të tretën herë në minutën e 73-të. Latif kompleton dopietën e tij në këtë ndeshje, duke likuiduar Laçin në “Elbasan Arena”. Minutat e mbetura janë pa shumë histori, sepse kurbinasit janë të dorëzuar, ndërsa Teuta nuk ka pse të shpenzojë më energji, kur ka gjithçka nën kontroll.
Tre gola për tri pikë, të marra nga durrsakët, të cilët e shfrytëzuan maksimalisht faktin që luhej në fushë asnjanëse dhe mbetjen me dhjetë lojtarë në fushë të kundërshtarit që nga minuta e tretë.