Laçi mori fitoren e parë në këtë sezon duke mposhtur 3-1 Vllazninë në sfidën e vlefshme për javën e 9-të të Superiores. Një fitore stimuli dhe motivuese, ku u duk dhe “dora” e Francesco Moriero, trajnerit të ri të Laçit i cili mori 3 pikë në debutim.

Pikërisht për fitoren ndaj Vllaznisë, por edhe objektivat e tij personale dhe të Laçit, ka folur një prej autorëve të golave në këtë triumf, mbrojtësi Agan Mjaki. Mjaki gjithashtu tregon për “Newsport.al” se çfarë ndryshoi Moriero nga ajo ç’ka bënte Armando Cungu.

3 pikët e para, si e shihni Laçin?

Kjo fitore është shumë e rëndësishme për ne dhe nuk ka ardhur rastësisht. Kemi treguar shumë herë lojë të mirë dhe besoj që jemi një ekip që duhet të ngjitet sa më lart të jetë e mundur. Kam besimin se këtë sezon do të bëjmë shumë mirë.

Çfarë ndryshoi Morierio nga Cungu?

Trajneri ka sjell më shumë pozitivitet në ekip dhe na ka dhënë shumë besim. Mendoj se kemi pasur më shumë problem anën psikologjike sesa lujën, pasi çunat kanë dhënë gjithçka. Ne kemi treguar se si dimë dhe duam të luajmë.

Gol ndaj Vllaznisë, çfarë objektivash ke këtë sezon?

Jam shumë i kënaqur për golin dhe që pata mundësinë për të ndihmuar ekipin në këtë fitore. Shpresoj që të shënoj sa më shumë gola dhe të dhuroj asiste për Laçin. Objektivi im parësor është që të shkoj sa më lart më Laçi. Pas kësaj vijnë objektivat personale.

A do të luftojë Laçi për mbijetesë?

Nuk mendoj se Laçi është ekip për të luftuar për mbijetesë. Këtë sezon djemtë e ekipit janë gati për të luftuar dhe për të dhënë gjithçka në fushën e lojës për të shkuar sa më lart.

Cilin shihni si ekipin më të mirë në Superiore?

Mendoj se këtë vit nuk ka ndonjë ekip që dallohet nga ekipet e tjera, pra nuk ka ndonjë skuadër që bën diferencën nga pjesa e tjetër. Kampionati i këtij sezoni do të jetë mjaft interesant.

Një mesazh për tifozët kurbinas?

Tifozëve të Laçin dua t’ju them që çunat do japin maksimumin për të nxjerrë ekipin nga kjo situatë dhe që do kemi shumë momente të mira këtë sezon. Na duhet mbështetja e tifozëve për të kaluar këtë moment të vështirë.